Lajme

Si firma izraelite e spiunazhit po lobon me administratën amerikane për të dalë nga lista e zezë?


Në 19 muajt që kur administrata amerikane e Joe Biden shtoi “NSO Group” në listën e zezë të Departamentit të Tregtisë, firma izraelite ka regjistruar tre firma të mëdha për të lobuar në qeverinë amerikane dhe institucionet kryesore.

Kjo me shpresën për të formësuar rregullimin e industrisë së spyware.

Sipas deklarimeve të Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të paraqitura në Departamentin e Drejtësisë, “NSO Group” ka paguar firma të tilla si “Paul Hastings LLP”, “Chartwell Strategy Group”, “Pillsbury Winthrop Shaw Pittman” dhe “Bluelight Strategies”.

Ajo u ka dhwnw mbi 1 milion dollarë  – që është më shumë sesa shpenzoi qeveria izraelite për lobim gjatë së njëjtës periudhë.

Në këto tarifa përfshihej qarkullimi i materialeve informative që këmbëngulnin se “të gjitha shitjet e teknologjive të ‘NSO Group’ i nënshtrohen miratimit nga qeveria izraelite dhe të gjithë klientët janë qeveri në koalicionin e vendeve të udhëhequra nga demokracia perëndimore”.

Materialet shtuan se “NSO Group”, prodhuesi i famëkeqit spyware Pegasus, zhvilloi një “program të ri të pajtueshmërisë me qeverisjen e të drejtave të njeriut” për të vlerësuar implikimet e shitjeve për klientët e mundshëm të qeverisë.

Në materialin e ndarë nga lobistët e saj, “NSO” pretendoi se po kryen mbikëqyrje të vazhdueshme dhe hetime të brendshme për keqpërdorimin e spyware-it të saj nga klientët e saj.

Megjithatë, “NSO” pretendoi se edhe kur gjen keqpërdorim të spyware-it të saj kundër viktimave të pafajshme, nuk i njofton ato – për shkak të marrëveshjeve të konfidencialitetit me klientët.

“NSO” ka punuar në prapaskenë për të fituar favore në Washington që kur u fut në listën e zezë nga administrata Biden në nëntor 2021.

Firma fillimisht gëzonte mbështetje nga Izraeli në përpjekjet e saj, por ndërsa zemërimi i SHBA-ve u rrit pas zbulimeve se zyrtarët e Departamentit të Shtetit ishin shënjestruar nga një klient i “NSO” – me gjasë Uganda – zyrtarët izraelitë u bënë gjithnjë e më ngurrues për të çuar përpara çështjen e firmës kibernetike.

Raportet në “The New York Times” zbuluan gjithashtu se FBI-ja kishte blerë programin spiun Pegasus të “NSO-së” për qëllime kërkimore dhe madje kishte kërkuar ta përdorte atë për hetime të brendshme.

Raportet e mëparshme thanë gjithashtu se CIA bleu Pegasus për shtetin afrikan të Xhibutit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore