Lajme

“Si duket jemi keqkuptuar”, Konjufca për keqleximin e mesazheve të Amerikës nga Qeveria e Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Qeveria e Kosovës ka vepruar në atë formë si ka vepruar, sepse ashtu i kishte lexuar porositë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe si duket ka keqkuptime, ka thënë kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, kur ka komentuar zhvillimet e fundit dhe qortimet amerikane për Kosovën.

I pyetur nga gazetarët se a nënkuptojnë zhvillimet e fundit se Kosova po i dëmton raportet me Amerikën, Konjufca tha se “konstatoj që në këtë situatë është qe jemi të keqkuptuar, jemi duke u keqkuptuar”.

“Që të mirëkuptohemi duhet takime me intensive, takime më të thella. Siç po e shoh unë situatën është që Qeveria po shkon në atë rrugë për arsyeje sepse ashtu i ka lexuar porositë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

______________________________________________________________________________________________________________________

“Normalisht se keq për Kosovën”, Konjufca flet për qortimet amerikane

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se qortimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe deklaratat e sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken, patjetër se përbejnë zhvillim “të keq” për Kosovën.

Duke folur para gazetarëve, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, Konjufca tha se nuk është hera e parë që po i ndodh Kosovës ky problem.

“Sa i përket deklaratës së Blinken-it nuk është hera e parë që po na ndodh kjo, më kujtohet edhe para dy viteve kur ishte çështja e reciprocitetit kur ne aplikuam me Serbinë, hasëm me një gjuhë të ashpër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një qortim vërtetë të ashpër për Republikën e Kosovës. Kjo nuk është e mirë për ne natyrisht, ne e pranojmë që është një gjë e keqe për Republikën e Kosovës”, deklaroi Konjufca.

“Mendoj që kryefjala e situatës nuk është ‘shqetësimi’ as nuk është ‘brengosja’, por kryefjala e të gjithë procesit është aftësia jonë, kapacitet ynë që t’i përfundojmë detyrat tona shtetërore edhe policia edhe institucionet e sigurisë ashtu që të garantojmë siguri në atë pjesë të vendit”, pohoi kryeparlamentari.

“Siç po shihet në atje i gjithë problemi po fillon dhe po përfundon me grupe të armatosura të rrezikshme, të paligjshme të cilat e sfidojnë shtetin dhe i sulmojnë zyrtarët policorë dhe shtetërore dhe nuk ua mundësojnë atyre kryerjen e detyrave të tyre të cilën e kanë me Kushtetutë, prandaj mendoj që ky është obligimi ynë, fokusi ynë”.

Dita e katërt që serbët po protestojnë në Veri

Është dita e katërt me radhë që serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë.

Më 26 maj, tensionet në Veri u rritën, atëherë kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, kishin hyrë nën përcjelljen e policisë në ndërtesat komunale.

Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga kjo përleshje 41 trupa të KFOR-it u lënduan dhe dhjetëra protestues.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunale nëntorin e 2022.

Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore