Lajme

Shuhet në moshën 76-vjeçare avokatja amerikane e të drejtave të abortit “Roe v Wade”


Sarah Weddington

Sarah Weddington, avokate nga Texas-i, e cila fitoi çështjen historike të vitit 1973, duke legalizuar abortet në të gjithë SHBA-në, është shuar në moshën 76-vjeçare, në shtëpinë e saj në Austin.

Susan Hays, ish-studentja dhe kolegia e Weddington, tha se ajo vdiq të dielën në mëngjes “pas një sërë problemesh shëndetësore”.

Çështja e Gjykatës së Lartë njihet gjerësisht si “Roe kundër Wade”.

Me një votim shtatë kundër dy, gjyqtarët e gjykatës vendosën se qeverive u mungonte fuqia për të ndaluar abortet.

Weddington gjithashtu mbajti detyrë në Dhomën e Përfaqësuesve të Texas-it për tri mandate, në vitet 1970.

Më vonë ajo ishte këshilltare për çështjet e grave në administratën e ish-presidentit amerikan, Jimmy Carter.

Këshilltarja presidenciale, Sarah Weddington, i drejtohet Klubit Demokratik të Grave në Uashington, D.C., 15 mars 1979.

Vdekja e Weddington-it vjen pasi Gjykata e Lartë duket e gatshme të pranojë një ligj të Mississippi-t, sipas të cilit abortet pas 15 javësh të shtatzënisë, edhe në rastet e përdhunimit ose incestit, do të jenë të ndaluara.

Një vendim, që pritet në qershor, mund të bëjë që miliona gra të humbasin aksesin për abort.

Aktivistët kundër abortit po i kërkojnë gjykatës “të mbrojë fëmijët e palindur”, por ekspertët paralajmërojnë një rritje të vdekshmërisë së nënave nëse aborti kufizohet.

Çfarë është Roe v Wade?

Vendimi i gjykatës në vitin 1973 u bazua në vendimin që, e drejta e një gruaje për të ndërprerë shtatzëninë vinte nën lirinë e zgjedhjes personale në çështjet familjare, siç mbrohet nga Amendamenti i 14-të i Kushtetutës së SHBA-ve.

Guvernatori i New York-ut, Andrew Cuomo, majtas, bisedon me avokaten Sarah Weddington, e cila debatoi Roe kundër Wade, pas një konference shtypi në Dhomën e Kuqe në Capitol të martën, 4 qershor 2013.

Vendimi erdhi pasi një grua beqare 25-vjeçare, Norma McCorvey – me pseudonimin “Jane Roe” – sfidoi ligjet penale të abortit në Texas që e ndalonin abortin si jokushtetues, përveç në rastet kur jeta e nënës ishte në rrezik.

Henry Wade ishte prokurori i përgjithshëm i Texas-it që mbrojti ligjin kundër abortit.

Zonja McCorvey e ngriti rastin për herë të parë në vitin 1969. Ajo ishte shtatzënë me fëmijën e saj të tretë dhe pretendoi se ishte përdhunuar. Por çështja u refuzua dhe ajo u detyrua të lindte.

Megjithatë, në vitin 1973, ankesa e saj u dërgua në Gjykatën e Lartë të SHBA-ve, ku ajo u përfaqësua nga Sarah Weddington dhe Linda Coffee, një ish-shoqe klase e Weddington-it nga Universiteti i Texas-it.

Kur Weddington argumentoi çështjen para Gjykatës së Lartë, ajo ishte vetëm 26 vjeç.

Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Walter Mondale, dhe të tjerë shikojnë fletën e numërimit për të zgjatur afatin kohor për ratifikimin e Amendamentit për të Drejtat e Barabarta (ERA), në Washington, 6 tetor 1978.
Si i ndryshoi çështja të drejtat e grave?

Rasti krijoi sistemin “tremujor” që u jep grave amerikane të drejtën absolute për abort në tre muajt e parë të shtatzënisë.

Po ashtu, lejon disa rregullime nga qeveria në tremujorin e dytë të shtatzënisë. Si dhe deklaron se shtetet mund të kufizojnë ose ndalojnë abortet në tremujorin e fundit, pasi fetusi i afrohet pikës ku mund të jetojë jashtë mitrës.

“Roe v Wade” konstatoi gjithashtu se në tremujorin e fundit një grua mund të bëjë një abort, pavarësisht çdo ndalimi ligjor vetëm nëse mjekët vërtetojnë se është e nevojshme për të shpëtuar jetën ose shëndetin e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore