Film

Shuhet ëndrra e Kosovës – “Zgjoi” nuk arrin të nominohet në “Oscars”


Filmi Zgjoi apo në gjuhën angleze “Hive”, i cili ka bërë bujë me suksesin e korrur nëpër festivale vendore e ndërkombëtare, përfundimisht nuk ka arritur të shënoj edhe një sukses tjetër të shumëpritur – të jetë pjesë e ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Oscars”.

Për të parën herë, Kosova ishte futur në listën e ngushtë të filmave pretendentë për t’u nominuar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”, me filmin “Zgjoi” në evenimentin prestigjioz të “Oscars”.

“Zgjoi”.

Në lidhje me këtë, regjisorja e filmit, Blerta Basholli bashkë me aktoren e rolit kryesor, Yllka Gashi e producentin, Ylli Uka, kishin nisur një kampanjë virtual promovimi të “Zgjoit” nëpër mediat sociale.

Ekipi organizativ i filmit patën realizuar një baner me sloganin – “Kosova’s Official Entry for Oscars (Hyrja Zyrtare e Kosovës për Oscars)”, bashkangjitur më disa hashtagë – këta të fundit për shpërndarje sa më virale të postimit.

Por, ani pse me kampanjë virale, “Zgjoi-t” i është fikur ëndrra për të qenë filmi i parë nga Kosova që nominohet zyrtarisht për ceremoninë më të madhe filmike “Oscars”.

“Zgjoi”.

Ndërkohë, “Zgjoi” është një film i bazuar në ngjarje të vërtetë që paraqet historinë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambiciet e grave për t’u zhvilluar nuk shihen me sy të mirë.

Në rolin kryesor të filmit luan aktorja Yllka Gashi, kurse disa nga aktorët që luajnë rolet e tjera janë Çun Lajçi, Adriana Matoshi e Aurita Agushi. Blerta Basholli është regjisorja e filmit, e drejtor fotografie është Alex Boom.

Filmi “Zgjoi” producent ka Yll Ukën ndërsa grupi i bashkë producentëve të filmit përbëhet prej Valon Bajgores, Agon Ukës, Britta Rindelaubit,Kristjan Burovskit, Tomi Salkovskit dhe Paskal Seminit. Ndërsa për montazhin e filmit janë përkujdesur Felix Sandri e Enis Saraçi.

Gjithashtu, filmi “Zgjoi” është  një bashkëprodhim midis Kosovës, Maqedonisë, Zvicrës dhe Shqipërisë.

Në anën tjetër, ceremonia e 94-të e çmimeve “Oscars” do të zhvillohet në Teatrin Dolby të Los Angeles më 27 mars.

Ngjarja do të transmetohet drejtpërdrejt në ABC dhe do të jetë e disponueshme për t’u parë në më shumë se 200 territore në mbarë botën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore