Shqipëria

Shuhen pjesë të mëdha të vatrave të zjarrit, shmanget rreziku për banesat


Një pjesë e konsiderueshme e vatrave të zjarrit që u aktivizuan të hënën e 18 korrikut në territorin e vendit janë shuar.

Forcat e emergjencave civile kanë izoluar rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme vatra në shpatin e malit, në kthesën e Balldrenit, në Lezhë, duke shmangur tërësisht rrezikun për banesat dhe bizneset në zonë.

Sakaq, mësohet se po vijon puna për shuarjen e zjarrit në fshatin Lgjin në Orosh të bashkisë Mirditë, ku flakët po zhvillohen me intensitet të ulët.

Po ashtu është shmangur rreziku për banesat në fshatin Qesarat në bashkinë e Finiqit, ku puna po vijon për shuarjen e plotë të vatrës së zjarrit.

Në fshatin Patin, njësia administrative Klos, ku dje ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe pyll dushku është bërë e mundur të shuhet një pjesë e vatrës.

Tanimë, atje nuk paraqitet rrezik për banesat.

Për të mundësuar izolimin e plotë gjatë ditës së sotme, në terren kanë shkuar edhe 20 forca nga shërbimi zjarrfikës dhe shërbimi pyjor.

Pa rrezik për zonat e banuara është edhe situata në zonën e quajtur “Makaresh”, në zonën e Krastës në Krujë, si dhe në fshatin Bizë në Ishëm të Durrësit, ku po punohet pa ndërprerje për të shuar vatrat e zjarrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore