Gjykata Speciale

Shtyhet vendimi i Kushtetueses së Speciales për ankesën e Nasim Haradinajt


Nasim Haradinaj.

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), kanë marrë vendim që ta shtyjnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ankesën e Nasim Haradinajt.

Sipas DhSK-së, ky vendim është marrë për shkak të parashtrimeve shtesë të palëve.

“Më 11 janar, Paneli i Gjykatës Kushtetuese i ngarkuar me referimin e Haradinajt, i dorëzuar në nëntor të vitit të kaluar, vendosi të shtyjë vendimin e tij në këtë çështje derisa të pranojë parashtrimet shtesë nga palët, përkatësisht parashtrimin e ZPS-së lidhur me referimin si dhe përgjigjen e saj ndaj kërkesës më të fundit të Haradinajt për pranimin e një prove të re”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

Ndërsa, kanë pasur kërkesë nga mbrojtja që të dorëzojë përgjigjen e saj në raport me vendimin e ZPS-së, nëse dëshiron ta bëjë këtë.

Vendimi i DhSK-së ndaj Nasim Haradinajt.

Më 14 dhjetor, është liruar ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Lirimi i tij është bërë me vendim të presidentes së Dhomave të Specializuara, Katarina Trendafilova.

Në vendimin e Speciales thuhet se pasi është shqyrtuar tërësia e informacionit që i është paraqitur, përfshirë raportin, është vendosur për lirimin e Haradinajt.

“Për marrjen e vendimit, kryetarja u këshillua me gjykatësit e paneleve që dhanë dënimin sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”), mori parasysh faktorët e rregullës 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe Provave si dhe seancën që mbajti  me z. Haradinaj”.

“Gjithashtu, sikurse u përcaktua në vendimin e saj të mëparshëm të 12 tetorit 2023 lidhur me uljen, modifikimin ose ndryshimin e dënimit të z. Haradinaj, kryetarja mori parasysh edhe raportin e dorëzuar nga administratorja në lidhje me sjelljen e z. Haradinaj në objektin e paraburgimit”.

Sipas Speciales, Haradinaj ka “reflektuar” për veprimet e tij gjatë kohës sa ndodhej në paraburgim.

Kur u arrestua Nasim Haradinaj?

Gucati së bashku me Nasim Haradinajn ishin dënuar nga Gjykata Speciale me katër vjet e gjysmë burgim, secili veç e veç, më 18 maj të vitit 2022.

Gucati e Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata ishin arrestuar në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara.

Më 18 maj të 2022-ës, Albanian Post kishte realizuar një intervistë me bashkëshortën e Nasim Haradinaj e cila vendimin e marrë nga Specialja e kishte konsideruar si tejet të rëndë, por më të rënda i kishte vlerësuar fjalët që ishin thënë në seancë.

Vendimi për dënimin e Gucatit e Haradinajt kishte qenë vendimi i parë i ndërmarrë nga Specialja prejse është themeluar para gjashtë vjetësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore