Kosova

Shteti i Kosovës është rreshtuar me Izraelin. Po kosovarët?


Foto: Albanian Post

Dallimet brenda shoqërisë kosovare për konfliktin më mes të Izraelit dhe Palestinës, pas sulmit terrorist të organizatës “Hamas” në territorin Izraelit, sipas njohësve të çështjeve politike dhe rrethanave historike, nuk paraqet rrezik që shqiptarët t’i bashkohen “Hamasit”, siç kishte ndodhur më herët, kur një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve (rreth 300) iu bashkuan organizatës terroriste “ISIS”.

Sipas tyre, edhe qëndrimi zyrtar i shtetit të Kosovës në këtë konflikt, pra mbështetja për Izraelin, rrjedhimisht dënimi i sulmit terrorist të “Hamasit”, është në përputhje me orientimin e vlerat perëndimore që ai përfaqëson.

Shqiptarët që jetojnë në Kosovë, Shqipëri, por edhe në Maqedoni të Veriut, asnjëherë nuk kanë qëndruar indiferent në konfliktet e Lindjes së Mesme, me qëndrime pro dhe kundër njërës apo tjetrës palë. E në këtë kontekst është edhe ky i fundit në mes të Izraelit dhe Palestinës, konflikt i cili daton që nga viti 1948.

Mirëpo, në situatën aktuale, për publicistin dhe gazetarin, Halil Matoshi, shoqëria kosovare duhet që të jetë në mbështetje të plotë të Izraelit, pasi që i njëjti i përket orientimit perëndimor, dhe përmend ndihmën që ky bllok i kishte dhënë kosovarëve në luftën e tyre çlirimtare në fund të viteve të 90’ta.

“Të jetosh në Kosovë e të shohësh mizoritë serbiane ose të kishe kujtesë – pasi ke fituar lirinë dhe shtetin kombëtar me ndërhyrjen e Perëndimit – e të mbash krahun e Brigadave terroriste Qassam, që vrasin fëmijë e pleq në tokën e Izraelit, me gjakftohtësi, është pabesi dhe krim i dyfishtë”, thotë Matoshi për Albanian Post.

Halil Matoshi

Nga ana tjetër, Mentor Hasani, Shef i Departamentit të Historisë në Fakultetin Filozofik në kuadër të “Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina”, mbështetjen e një pjesë të shoqërisë kosovare për palestinezët e sheh në aspektin human, por se në rastin konkret, sipas tij, është një standard i dyfishtë.

“Së pari duhet pasur parasysh që njeriu për nga natyra si qenie humane që është, automatikisht është i predisponuar që ta mbështes viktimën që në rastin konkret, deri tani, para se të ndodhte sulmi nga grupi terrorist ‘Hamas’, ishte shoqëria palestineze”, tha ai për AP.

“Mirëpo për habi, nga sulmi terrorist ndaj popullsisë civile në Izrael, një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë sonë nuk ishte me viktimën, kësaj radhe shoqërisë izraelite, por vazhdoi që t’i qëndronte besnike ndjesisë dhe kujtesës ndaj ‘viktimës’ së deri djeshme që  ishte populli palestinez”, shtoi.

Ndërsa, për Abduallah Klinakun, themelues i klubit “Demokracia Konservatore”, kjo ndarje e shoqërisë është në linjë me atë ndodhë rëndomë nëpër të gjithë botën dhe jo vetëm tek shqiptarët, por përmend edhe aspektin e ndjeshmërisë fetare.

“Pra, ka njerëz në lindje e në perëndim që janë duke i dhënë të drejt Izraelit ashtu siç ka njerëz në lindje dhe në perëndim që i dhanë të drejt Palestinës. Nga ky trend i reagimeve natyrisht nuk janë të paprekshëm as shqiptarët”, pohoi Klinaku për AP.

“Përmbledhur shkurtë, shqiptarët marrin pozicion ndaj palëve në luftën izraelito-palestineze në varësi të emaptisë për viktimën, të drejtat universale për jetë dhe dinjitet, interesat e vendit tonë dhe njëkohësisht ndjeshmërisë fetare. Të gjithë janë faktorë që ndikojnë në formësimin e mendimit, gjykimit dhe opinionit të njeriut dhe janë faktor krejtësisht legjitim”, shtoi.

Qëndrimi zyrtar i Kosovës

Sipas gazetarit Matoshi, rreshtimi i shtetit të Kosovës përkrah Izraelit, rrjedhimisht kundër terroristëve të ‘Hamasit’, është i duhur. Këtë përgjigje ai e jep pasi flet në kontekstin krahasimtar për përkrahjen që vendet e përfshira në konflikt e kanë pasur dhe e kanë ndaj Kosovës.

“Së pari harrohen mizoritë Serbe mbi kosovarët dje dhe thirrjet palestineze ‘Kosova është Serbi’, sot”, pohon.

Thënë këtë, publicisti i referohet qëndrimit tejet kundër që Palestina e ka në raport me Kosovën, e që më së shumti për ta theksuar këtë përkujdeset ambasadori palestinez në Serbi.

Madje, ish-ambasadori palestinez në Beograd, Mohamed Nabhan, i kishte kritikuar dhe kërcënuar institucionet kosovare pas hapjes së ambasadës në Jerusalem – e cila parashihej në Marrëveshje e Uashingtonit, më 4 shtator 2020, ku edhe Izraeli e kishte njohur zyrtarisht Kosovën.

Nabhan pretendonte se Kosova, e cila sipas tij, “nuk është ende shtet”, kishte filluar “shkeljen e ligjit ndërkombëtar në dëm të popujve të tjerë”. “Jo vetëm në Ballkan, por edhe në Lindjen e Mesme”, pohonte.

Ai me tone kërcënuese thoshte se “kjo qasje nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”. “Është sulm ndaj të drejtave tona dhe njerëzve tanë”.

Prandaj, pohon Matoshi, një qëndrim tjetër i institucioneve kosovare në këtë konflikt, pra në mbështetje të Palestinës, “harrohet dora e ngrohtë amerikane që na ktheu në shtëpitë tona më 1999 dhe pritet në besë njeriu që më 1999 qëndroi paluhatshëm në anën tonë”, kryeministrit të atëhershëm dhe të tanishëm izraelit Benjamin Netanyahu.

“Me terroristët nuk negociohet, ata gjithmonë dhe kudo janë armiqtë e lirisë”, theksoi, duke kërkuar që edhe Kosova t’i bashkohet vendeve perëndimore si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar për ta shpallur organizatë terroriste “Hamasin”.

Edhe për Hasanin është për “t’u vlerësuar” qëndrimi zyrtar i shtetit të Kosovës në këtë konflikt që assesi të përfundojë.

“Qëndrim korrekt edhe për faktin pragmatist, për shkak se Izraeli është ndër shtetet më të fuqishme në botë që ka njohur Kosovën. Thënë të drejtën lidhja mes dy vende dhe popujve është një lidhje historike e kahershme, por e cila është devijuar nga islami politik dhe nga ku është krijuar me qëllim një amulli totale”, vlerëson.

“Një gjë e cila nuk u pa, por e cila do t’i shërbente tej mase shtetit dhe orientimit të shoqërisë do të ishte një qëndrim i qartë nga kleri fetar mysliman, nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) e cila si institucion do duhej të dënonte sulmin terrorist të ndodhur atje nga grupe terroriste islame, dhe me këtë rast do t’u bëhej me dije besimtarëve të manipuluar se ne nuk jemi me terroristët. Të shpresojmë se heshtja e tyre nuk do të keqlexohet…”, shtoi.

Mentor Hasani

Nga ana tjetër, për Klinakun, qëndrimi i Kosovës kundër sulmeve të “Hamasit”,  “është qëndrim politik dhe që ndërlidhet me vlerësimet politike dhe interesat shtetërore që i kanë vlerësuar krerët institucionalë”, mirëpo pohon se i njëjtë duhet të ishte edhe atëherë kur kishte “sulme izraelite mbi popullsinë e pafajshme palestineze”.

“Reagim i cili do të duhej të motivohej nga parimet e drejtësisë universale. Mbi këtë parim besoj se do të duhej të reagonte i gjithë komuniteti ndërkombëtar. Pa pasur reagim të fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar ndaj palëve në konflikt nuk mund të ketë paqe e as pajtim midis tyre. Pra, lufta e zhvilluar mbi kurrizin e të pafajshmëve nuk është luftë e drejt e as fisnike prej kujt do që ndodhë”, theksoi.

A ekziston rreziku që shqiptarët e Kosovës të marrin pjesë në këtë konflikt?

Rreth 300 kosovarë kishin marrë rrugën për t’iu bashkuar organizatës terroriste ISIS – një grup i dhunshëm dhe ekstremist i motivuar nga një version ekstremist i islamit suni – që vepronte në disa shtete të lindjes së mesme.

Për Matoshin, kosovarët “që marrin anën e terroristëve” janë të ngjashëm “për nga armët me palestinezët si terroristi Milan Radojiçiç”, i cili mori përsipër sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator.

Nga ana tjetër, sipas historianit Hasani, me ligjin “shumë pozitiv” që shteti i Kosovës e ka miratuar para disa viteve për të gjithë ata shqiptarë që për çfarë do arsye marrin pjesë në luftëra jashtë shtetit, “aq më tepër në luftëra të udhëhequra nga terroristët”, është përcaktuar qartë se çfarë ndodhë me ta?

“Ky ligj ka pasur një efekt tejet pozitiv në rrjedhën e një sërë ngjarjesh, sidomos në parandalimin e njerëzve të manipuluar e keqpërdorur edhe nga religjioni politik, por edhe nga shtete që nuk ia donë të mirën Kosovës dhe qytetërimit perëndimor përgjithësisht”.

Ndërsa, juristi Klinaku, thotë se me bindje se “nuk e besoj” që do të ketë pjesëmarrje të shqiptarëve në këtë luftë.

“Kontributi ynë për luftën midis dy popujve duhet të jetë Lutja për dialog, për paqe e pajtim midis dy popujve. Shoqëria jonë ka probleme shumë të mëdha, kemi sfida të brendshme dhe kemi një rini e cila po emigron çdo ditë nga Kosovë për në perëndim”.

“Besoj se reagimi i komunitetit ndërkombëtar bazuar në vlerat e drejtësisë, lirisë dhe barazisë duke rritur direkt trysninë mbi palët pa anime do të arrij rezultatet pozitive ndër luftës!”, tha ai.

Abdullah Klinaku

Luftërat midis Izraelit dhe Palestinës

Dhjetor 2008 – Izraeli nis një ofensivë ushtarake 22-ditore në Gaza, pasi raketa u hodhën në qytetin jugor izraelit të Sderot. Rreth 1 mijë e 400 palestinezë dhe 13 izraelitë u vranë përpara se të arrihej një armëpushim. Përplasja zgjati 23 ditë.

Nëntor 2012 – Izraeli vret shefin e shtabit ushtarak të Hamasit, Ahmad Jabari, i ndjekur nga tetë ditë sulme ajrore izraelite në Palestinë.

Korrik-gusht 2014 – Rrëmbimi dhe vrasja e tre adoleshentëve izraelitë nga Hamasi çon në një luftë shtatë-javore, në të cilën më shumë se 2 mijë e 100 palestinezë janë vrarë në Gaza së bashku me 73 izraelitë, përfshirë 67 ushtarë.

Maj 2021 – Pas javësh tensioni gjatë muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit, qindra palestinezë u plagosën nga forcat izraelite të sigurisë në kompleksin e xhamisë Al-Aqsa në Jerusalem. Hamasi i kërkoi Izraelit të tërheqë forcat e sigurisë nga kompleksi. Izraeli nisi sulme ajrore në Gaza në përgjigje të atyre që tha se ishin raketa të lëshuara nga Gaza. Në luftimet që vazhduan për 11 ditë, të paktën 260 njerëz u vranë në Gaza dhe 13 vdiqën në Izrael.

Gusht 2022 – Më shumë se 30 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë në sulmet e reja ajrore të kryera nga avionët izraelitë. Xhihadi Islamik Palestinez, dy komandantët e të cilit u vranë në sulmet ajrore, lëshoi dhjetëra raketa drejt Izraelit si kundërpërgjigje. Asnjëra nuk e preku tokën izraelite.

Maj 2023 – Izraeli nisi sulmet ajrore në Rripin e Gazës të quajtur “Operacioni Mburoja dhe Shigjeta”, i cili zgjati pesë ditë. Të paktën 13 persona, duke përfshirë gjashtë gra dhe katër fëmijë, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, gjetën vdekjen. Në mesin e të vdekurve ishin tre anëtarë të lëvizjes së Xhihadit Islamik Palestinez (PIJ).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore