Shqipëria

Qytetarët e Shqipërisë protestojnë kundër masave anti-COVID të qeverisë së Kosovës


Qytetarët e Shqipërisë, paraditen e 24 janarit, do të protestojnë pranë doganës në Morinë, “për heqjen e pengesave të lëvizjes së lirë nga Qeveria e Kosovës”.

Ndërsa organizatori i kësaj proteste kërkon mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Kukësit, por jo vetëm, ai njoftoi se do të mblidhen pranë kësaj dogane, “në një grevë paqësore”, rreth orës 10.00, kundër vendimit të miratuar nga qeveria “Kurti”.

“Kërkojmë mbështetjen e të gjithëve pasi nuk është protestë politike por paqësore në shërbim të komunitetit”, shkruhet në njoftim.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar masat e reja anti Covid-19.

Të gjithë personat që hynë në Republikën e Kosovës sipas masave të reja duhet të jenë të vaksinuar së paku me 3 doza.

Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë, “certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19”.

“Certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore)”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore