Shqipëria

Shqipëria vijon prioritetin për agjendën e grave në Këshillin e Sigurimit


‘Gratë, paqja dhe siguria’, kjo ka qenë agjenda prioritare e Shqipërisë prej më shumë se 1 viti si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit.

Për të manifestuar këtë, Ambasadori i Përhershëm i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha mbajti një aksion të përbashkët në emër të nënshkruesve të Deklaratës së Përkushtimeve të Përbashkëta për parimet e Sigurisë së Paqes së Grave.

Kësaj radhe, duke ngritur zërin për situatën e rëndë të të drejtave të njeriut të grave dhe vajzave në Afganistan.

“Ne, nënshkruesit e Këshillit të Sigurimit të Deklaratës së Angazhimeve të Përbashkëta për parimet e grave, paqes dhe sigurisë, Shqipërisë, Brazilit, Ekuadorit, Francës, Gabonit, Japonisë, Maltës, Zvicrës, Emirateve të Bashkuara Arabe, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, jemi mbledhur në Ditën Ndërkombëtare të Gruas për të shprehur shqetësimin e madh në lidhje me situatën e rëndë të të drejtave të njeriut të grave dhe vajzave në Afganistan”, pikënis deklarata.

Përfaqësuesit diplomatikë kërkuan nga talebanët që të heqin menjëherë të gjitha masat shtypëse ndaj grave dhe vajzave dhe të respektojnë të drejtat e njeriut të të gjithë popullit afgan, duke përfshirë gratë dhe vajzat në të gjithë diversitetin e tyre, personat me aftësi të kufizuara, personat që u përkasin grupeve të pakicave etnike dhe fetare, të rinjtë, fëmijët, dhe të tjerët.

Sipas qëndrimit zyrtar, gratë dhe vajzat në Afganistan po përjetojnë “një nga krizat më të rënda të të drejtave të njeriut në botë, të paaftë për të ushtruar të drejtat e tyre njerëzore dhe liritë themelore”.

“Rimëkëmbja në Afganistan nuk mund të ndodhë pa pjesëmarrjen e plotë, të barabartë dhe kuptimplotë të grave në të gjitha aspektet e jetës politike, ekonomike dhe sociale”, thekson reagimi.

Mesazhi i ambasadorëve ishte i qartë: “Gratë duhet të jenë në gjendje të kthehen në universitete dhe vajzat duhet të kthehen në klasat e tyre. Të drejtat e grave për arsimim, pjesëmarrje politike, punë dhe liri të lëvizjes duhet të respektohen dhe mbrohen, në përputhje me standardet dhe angazhimet ndërkombëtare”.

Shqipëria u zgjodh mes pesë kandidaturash si anëtare e Këshillit të Sigurimit së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për vitin 2022-2023.

Ajo arriti të marrë 175 vota nga 190 të tilla, nga e gjithë anëtarësia e OKB-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore