Shqipëria

Shqipëria u përgjigjet kritikave të UNESCO-s për Gjirokastrën dhe Beratin


UNESCO – Organizata Botërore e Monumenteve – u kërkoi një vit më parë autoriteteve shqiptare të finalizonin me urgjencë Planin e Menaxhimit të Integruar për Gjirokastrën dhe Beratin.

Në raportin e dorëzuar në UNESCO, pala shqiptare ka deklaruar se kjo nuk është bërë ende duke arsyetuar mbi vonesat me largimin nga Instituti i Trashëgimisë i të gjithë ekipit që punonte për Planin e Menaxhimit.

Teksa raporti i Shqipërisë për gjendjen e konservimit të Beratit dhe Gjirokastrës u publikua në faqen e Qendrës së Trashëgimisë Botërore, kjo ende nuk ka ndodhur për Butrintin.

Raporti, për këtë të fundit, duhej të dorëzohej nga pala shqiptare më 1 shkurt.

Qendra e Trashëgimisë Botërore të UNESCOS publikoi në faqen e saj raportin e Shqipërisë për gjendjen e konservimit të “Qendrave Historike të Beratit dhe Gjirokastrës” që listohen si site në seri në pasuritë botërore.

Sakaq, raporti është përgatitur nga Ministria shqiptare e Kulturës dhe Ekonomisë në përgjigje të vendimit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore që u mbajt në shtator të vitit të shkuar në Arabinë Saudite.

Referuar raportit, Berati dhe Gjirokastra ende nuk kanë të finalizuar një Plan të Menaxhimit të Integruar, megjithëse procesi me mbështetjen ndërkombëtare ka nisur që në vitin 2019 dhe është kërkuar të përfundojë me urgjencë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore.

“Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka dorëzuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore një draft të Planit të menaxhimit më 16 shkurt të vitit 2023 ndërsa komentet i janë dërguar Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore më 16 mars të vitit 2023” thuhet në raportin e Shqipërisë.

Raporti vijon më tej se “rishikimi i draftit të Planit të Menaxhimit pas komenteve të ekspertëve të ICOMOS dhe ICCROM nuk ka përfunduar plotësisht brenda afateve kohore të përcaktuara në kontratë, për shkak të disa vështirësive”.

Dhe se Instituti i Trashëgimisë gjatë periudhës së zbatimit të kontratës ka pasur disa ndryshime në nivelet e menaxhimit dhe nivelet e stafit teknik.

Në raport bëhet me dije se i gjithë ekipi i punës që ishte i angazhuar drejtpërdrejt në hartimin e draftit të parë të Planit të Menaxhimit të Integruar është larguar nga institucioni.

Ndërkohë, raporti i palës shqiptare pritet të shqyrtohet në sesionin e ri të Komitetit të UNESCO-s që mbahet në Indi në korrik të këtij viti.

Misioni i UNESCOS ka drejtuar më herët kritika të forta ndaj modelit të menaxhimit.

Sipas UNESCO-s, themelimi i vetëm një fondacioni nuk mundet të përmbushë rekomandimet për një menaxhim të integruar të parkut të Butrintit.

Ndaj, organi i lartë i OKB-së i ka rekomanduar autoriteve shqiptare që të ruajnë autoritetin tërësor të kësaj pasurie botërore dhe jo thjesht të jenë pjesë e këtij autoriteti.

Me një vendim ende të pa marrë nga Gjykata Kushtetuese shqiptare lidhur me rastin, kjo e fundit i ka kërkuar Qeverisë edhe raportin e UNESCO-s, pikërisht lidhur me çështjen.

Kështu ka raportuar Zëri i Amerikës pasditen e 8 shkurtin.

Ky raport ka qenë i përgatitur që në tetor të vitit 2023, po ishte Qeveria, ajo e cila nuk ka dhënë pëlqim për publikimin e tij.

Ndër arsyet, mund të jenë edhe shqetësimet që raporti ka ngritur për heqjen nga Parku i Butrintit të rreth 600 hektarëve, ku në një pjesë po ndërtohet aktualisht një resort dhe u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë me urgjencë në UNESCO një plan të qartë masash për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Raporti po ashtu paraqet edhe kritika për rishikimin e kufijve të Parkut Kombëtar të Butrintit pa e vënë fillimisht në dijeni UNESCO-n për këtë veprim, si edhe për mos sigurimin e menaxhimit të integruar të Butrintit.

Kjo e fundit ka qenë kërkuar në misionet e mëparshme të organizatës, të cilat kanë monitoruar Butrintin.

Misioni i UNESCO-s thotë në raport se “përveç krijimit të Fondacionit të ri të Menaxhimit të Butrintit, asnjë propozim tjetër për sigurimin e zbatimit të Planit të Menaxhimit nuk u prezantua gjatë misionit nga autoritetet shqiptare”.

“Vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet e misioneve të mëparshme, të Komiteti i Trashëgimisë Botërore dhe vetë Planit të menaxhimit për një menaxhim të integruar të Butritnit”, shkruhet më tej.

Në dhjetor 2023, ishte deputetja e opozitës, Ina Zhupa, ajo e cila ka deklaruar se UNESCO ka finalizuar dhe transmetuar tek autoritet shqiptare një raport kundër koncesionit të Butrintit.

Sipas saj raporti “që vjen si provë i gjithë kundërshtimeve që ka UNESCO kundra modelit me koncesion të Butrintit”, i ishte fshehur Gjykatës Kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore