Shqipëria

Shqipëria renditet e gjashta në Evropë për vdekjet më të larta nga aksidentet rrugore


Vdekjet nga aksidentet rrugore në Shqipëri – edhe pse kanë ardhur duke u ulur – mbeten ende ndër më të lartat në Evropë.

Në vitin 2022, referuar Institutit të Statistikave (INSTAT), 164 persona humbën jetën nga aksidentet me makinë, ose ndryshe 59 persona për 1 milion banorë.

Dhe kjo shifër është më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Evropian prej 46 viktimash për 1 milionë banorë, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.

Shqipëria – në total – renditet e gjashta, pas Rumanisë që mban rekordin me 86 vdekje për 1 milion banorë, Bullgarisë (78), Kroacisë (71) dhe Portugalisë (60).

Nuk ka të dhëna të fundit për vendet e rajonit, por statistikat e mëparshme referojnë se numri i tyre është më i ulët se në Shqipëri.

Sakaq, një zhvillim pozitiv është se numri i viktimave nga aksidentet rrugore në Shqipëri ka ardhur në rënie të ndjeshme vitet e fundit.

Në vitin 2022 u shënuan 164 humbje jete, që është shifra më e ulët e regjistruar ndonjëherë që nga viti 2000, kur raportohen të dhënat.

Në krahasim me vitin 2017, ku u shënua rekordi i viktimave, jetët e humbura janë përgjysmuar në vitin 2022.

Gati 70-80 për qind e aksidenteve shkaktohen nga drejtuesit e mjeteve.

Dhe grupmoshat e reja 25-34 vjeç janë në përgjithësi më të pakujdesshmit, sipas INSTAT.

Ndërkohë, referuar Eurostat, 20 mijë e 653 persona humbën jetën nga aksidentet e trafikut rrugor në Bashkimin Evropian gjatë vitit 2022, duke shënuar një rritje prej 4 për qind krahasuar me vitin 2021.

Numri i viktimave është rritur për dy vite radhazi pas rënies së paprecedentë në vitin 2020, vit ku kufizimet e COVID prekën transportin e pasagjerëve.

Shkalla me e lartë e vdekshmërisë rrugore u regjistrua në Rumani, ndërsa më e ulëta në Suedi.

Në vitin 2022, në BE kishte mesatarisht 46 viktima në trafikun rrugor për 1 milion banorë. Duke marrë në konsideratë popullsinë e çdo vendi të BE-së, shkalla më e ulët e vdekjeve në rrugë në vitin 2022 u regjistrua në Suedi, e ndjekur nga Danimarka dhe Irlanda.

Kurse normat më të larta u regjistruan në Rumani, ndjekur nga Bullgaria dhe Kroacia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore