Vende

Shqipëria, “parajsa e panjohur” e Mesdheut


Një vend i bukur ballkanik, gati-gati si Kroacia e re apo si “parajsa e panjohur e Mesdheut”.

Bëhet fjalë për Shqipërinë, së cilës duket qartë se “nuk i mungon asgjë për t’u shndërruar në destinacionin më të lakmuar në verën 2022”, shkruan revista “National Geographic”, përcjell Albanian Post.

“Aty ju do të gjeni plazhe spektakolare, të panjohura për shumë udhëtarë. Shqipëria dhe bregdeti i saj janë një kënaqësi për pushuesit”.

Por, përtej bregdetit, vendi ynë njihet edhe për historinë emocionuese, veçoritë e tij kulturore dhe gastronominë e pasur dhe e gjithë kjo “me çmime shumë të volitshme”.

Në artikullin e revistës “National Geographic”, renditen dhe destinacionet, të cilat nuk duhen humbur pa u eksploruar në Shqipëri.

Plazhi i Ksamilit

Nëse Shqipëria do të përmblidhej në një plazh të vetëm, pa dyshim që triumfuesi do të ishte Ksamili.

Zona ranore e këtij fshati shquhet për natyrën me rërën e bardhë si bora, që shfaqet në një vijë bregdetare të thyer nga disa ishuj, të cilët janë një magnet për turistët.

Përveç kësaj, fakti që gjendet në jug të Sarandës, pikërisht përballë ishullit të Korfuzit, e bën atë një koordinatë mjaft tërheqëse si për shqiptarët, ashtu edhe për udhëtarët që kalojnë kufirin jugor të vendit apo që kalojnë me traget nga Italia ose nga Greqia.

Plazhi i Borshit

Pak më shumë se një orë me makinë nga Saranda, përgjatë bregut të Jonit, gjendet plazhi më i gjatë në të gjithë Rivierën Shqiptare.

Ky është Borshi. Një vend me një gjatësi prej më shumë se gjashtë kilometrash dhe që, përveç përmasave të tij, shquhet për ujërat e kristalta dhe malet e tij gjigante me bimësi të bollshme që krijon një kontrast me kaltërsinë e detit.

Kjo enklavë shquhet gjithashtu edhe për qetësinë dhe karakterin e egër, duke e bërë këtë plazhin e preferuar për ata që kërkojnë të dalin nga qarku turistik dhe “i civilizuar” i fqinjëve.

Plazhi i Gjipesë

Një nga thesaret më të çmuara të bregdetit të Rivierës Shqiptare është plazhi i Gjipesë, një pamje panoramike, që ju magjeps me mjedisin e egër, me perëndimet dhe lindjet e diellit, si dhe me ujin blu.

Ndonëse është një nga plazhet më të lakmuara nga turistët, për të mbërritur aty nuk është edhe aq e lehtë.

Megjithatë, shtegu që të çon në Gjipe, është një panoramë që nuk duhet humbur.

Plazhi gjendet mes shkëmbinjve të lartë, gjë që ju jep ndjenjën e të qenit në një ishull të shkretë dhe jo në një plazh të rregullt.

Plazhi i Lukovës

Plazhi i bukur i Lukovës është vendi ideal për të shijuar qetësinë, pasi ndodhet në një mjedis të jashtëzakonshëm natyror, larg qyteteve më të lakmuara në bregdet.

Por kjo nuk do të thotë se nuk i ka të gjitha shërbimet, duke përfshirë shërbimet e marrjes me qira të shezlongëve apo çadrave dhe ngritjen e një kampingu.

Në këtë plazh do të gjeni kuzhinë mesdhetare, e cila, e kombinuar me pamjen mahnitëse, do t’ju japë kënaqësi të pamasë.

Ndërsa, kushdo që dëshiron të përjetojë një përvojë natyrore, mjafton të ngrejë sytë dhe të humbasë shikimin mes ujërave të kristalta dhe kontrastin e tyre me kodrat e gjelbra që kulmojnë aty.

Plazhi i Kakomesë

Po të shihet nga lart, me plazhin e Kakomesë bie lehtësisht në dashuri. Është një mrekulli natyrore në formë gjysmëhëne, e mbështjellë në një mjedis me bimësi të dendur.

Rrëzë rërës ujërat e saj të befasojnë, gati si një mirazh, pasi përqendrohen të gjitha ngjyrat e mundshme.

Krahas këtij idili vizual, Kakomeja të tërheq edhe për një arsye tjetër: është praktikisht i shkretë, ndaj çlodhja dhe shijimi i një pamjeje panoramike janë të garantuara.

Plazhi i Porto Palermos

Porto Palermo është pa dyshim një nga vendet më unike në Shqipëri.

I rrethuar nga një ishull i lidhur me bregdetin me një istëm, gjiri i tij blu dhe jeshil bie në kontrast me kështjellën e Ali Pashës, nga ku përftohen pamjet më spektakolare të rrethinës.

Pavarësisht se është një nga këndet më të njohura të Rivierës Shqiptare, Porto Palermo mund të mburret se nuk i është dorëzuar turizmit masiv, duke ruajtur atë karakter të egër që e bën të gjithë këtë bregdet një sekret të madh… tani për tani.

Marrë nga revista “National Geographic”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore