Shqipëria

Shqipëria nis takimet dypalëshe me BE-në për kapitullin e lëvizjes së mallrave


Diplomacia shqiptare ka nisur të hënën e 30 janarit një javë takimesh dypalëshe me Bashkimin Evropian mbi Kapitullin 1 për “Lëvizjen e Lirë të Mallrave”.

Lajmi u bë i ditur nga Misioni i Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke cituar statusin e tyre në median sociale “Twitter”.

“Sot ne fillojmë një javë intensive takimesh dypalëshe mbi Kapitullin 1: Lëvizja e Lirë e Mallrave, i cili është një gur themeli për integrimin e plotë të Shqipërisë në tregun e përbashkët të BE-së. 30 ekspertë nga institucione të ndryshme do të prezantojnë gjetjet e tyre mbi përputhshmërinë dhe standardizimin e produkteve”, theksoi misioni diplomatik.

Një nga objektet më të mëdha të veprimtarisë gjyqësore dhe komenteve akademike në të drejtën e Bashkimit Evropian (BE) ka qenë lëvizja e lirë e mallrave.

Lëvizja e lirë e mallrave vazhdon të gjenerojë debate intensive sepse është në kryqëzimin e zgjedhjeve komplekse dhe të vështira midis rregullimit publik dhe lirisë së tregut, nga njëra anë, dhe fuqive të BE-së dhe shtetit nga ana tjetër.

Më herët, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri vlerësoi punën e bërë nga Shqipëria në procesin e anëtarësimit në BE, e cila po ecën përpara.

Kujtojmë që ka përfunduar edhe procesi i shqyrtimit analitik të grupit të parë të kapitujve, që fokusohen kryesisht në të drejtat themelore të BE-së, sundimin e ligjit, reformën e administratës publike dhe kriteret ekonomike.

“Në Bruksel, nisën takimet dypalëshe të shqyrtimit analitik të grupit të dytë të kapitujve, ku trajtohen katër liritë themelore të tregut të përbashkët të BE-së: lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit, krahas politikës së konkurrencës, pronësisë intelektuale dhe të drejtën e kompanive, shërbimet financiare, mbrojtjen e konsumatorit dhe të shëndetit”.

Delegacioni u shpreh i bindur se unioni do të vazhdojë të mbështes Shqipërinë në këtë proces.

“Urime përfaqësuesve shqiptarë të përfshirë deri tani dhe vazhdoni punën e mirë. BE-ja do të vazhdojë t’ju qëndrojë pranë në këtë proces”.

Ndërsa, reporterja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos deklaroi dy ditë më parë se Shqipëria do të nisë hapjen e kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Evropian brenda vitit 2023.

“Por vendi juaj është duke u përgjigjur mirë dhe shpresoj të vijojë në këtë mënyrë që të vazhdojmë më pas me reformat që kërkohen gjatë hapjes së kapitujve. Jam besimplotë që Shqipëria mund të jetë kryesuese në rajon sa i takon procesit të anëtarësimit. Mendoj se deri në fund të vitit, do të nisë hapja e kapitujve, kjo është një kohë e arsyeshme”, theksoi përfaqësuesja portugeze.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore