Sport

Shqipëria në Lojërat Olimpike Dimërore: Aktorët “bojkotojnë” përgjigjen


Shteti i fundit që bojkotoi diplomatikisht Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin ishte Danimarka.

Autoritetet daneze deklaruan të premten e 14 janarit se nuk do të dërgonin përfaqësi diplomatike për shkak të situatës së të drejtave të njeriut në Kinë.

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) ende nuk i është përgjigjur interesit të Albanian Post për ndonjë bojkot të mundshëm nga ana e përfaqësuesve.

Kujtojmë që Shqipëria renditet mes 43 shteteve që advokojnë për të drejtat e ujgurëve në Kinë.

Publikimi i fundit i KOKSH-it në median sociale “Facebook” lidhet me Ceremoninë e Hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore.

“Shqipëria po përgatitet të përfaqësohet në këto Lojëra, ku KOKSH dhe Federata Shqiptare e Skive po identifikojnë skiatorët më të mirë që kanë shancet më të larta të pjesëmarrjes në eventin më të madh të sporteve dimërore në botë”, lexohet më tej.

Pekin 2022 do të jetë edicioni i 24-të i Lojërave Olimpike Dimërore dhe pjesëmarrja e 5-të për Shqipërinë.

Ndërkaq, zyra për media e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme ka sqaruar për Albanian Post se “bojktoti s’ka agjendë diplomatike”.

Më herët, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, doli në mbështetje të këtij bojkoti.

“Prishtina do t’i bashkohet bojkotit diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore në Kinë”, ravijëzoi ajo.

Ndërtimi i ngjarjes

Kina, e cila do të presë ngjarjet dy-javore që fillojnë më 4 shkurt, ka kritikuar vendet bojkotuese.

Kjo, për shkeljen e neutralitetit politik të kërkuar në frymën e Kartës Olimpike.

Në thelb, bojkotet diplomatike nuk do të ndryshojnë asgjë si për sportistët ashtu edhe për shikuesit.

Lituania ishte vendi i parë në botë që shpalli bojkotimin diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore.

Presidenti lituanez Gitanas Nauseda konfirmoi se as ai dhe asnjë ministër i qeverisë nuk do të ishin në Lojërat më 3 dhjetor.

Presidenti lituanez Gitanas Nauseda

Lituania dhe Kina janë përfshirë në një grindje diplomatike qëkurse Vilniusi zyrtar lejoi Tajvanin të hapte një zyrë përfaqësie në vend.

Edhe në Belgjikë u vendos që qeveria federale të mos dërgojë përfaqësi në lojëra.

Lajmi u konfirmua nga kryeministri belg Alexander De Croo më 18 dhjetor.

BE-ja

Qeveria franceze ka dërguar sinjale të përziera.

Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit u tha mediave se disa zyrtarë të lartë do të marrin pjesë.

Ndërsa ministri i Jashtëm deklaroi se Parisi është “pro qëndrimit të përbashkët” dhe se “kjo çështje duhet të trajtohet si Evropë”.

Gjermania i ka bërë jehonë kësaj të fundit, duke argumentuar se vendimi duhet të merret “në harmoni me miqtë evropianë”.

Kryeministri i Luksemburgut, Jean Asselborn, deklaroi sakaq se “Lojërat Olimpike janë gjithmonë politike, nuk ka lojëra olimpike politikisht neutrale”.

“Si një qytetar evropian, pyes veten nëse është e drejtë të dërgohen atletë në Kinë dhe liderët politikë të shikojnë në TV”, shtoi ai.

Ish-kancelari provizor austriak Alexander Schallenberg shfaqi dyshimet e tij për një “politizim artificial të Lojërave Olimpike”.

Ndërkohë Suedia e ka lidhur mungesën e përfaqësisë me pandeminë COVID-19.

SHBA-Kanada-MB

Kryeministri Boris Johnson tha në fillim të dhjetorit se “do të ketë një bojkot diplomatik të Olimpiadës Dimërore në Pekin”.

Thënë kjo, asnjë zyrtar i lartë britanik nuk pritet të marrë pjesë në aktivitetin sportiv.

“Qeveria nuk ka asnjë hezitim të ngrejë këto çështje me Kinën, siç bëra me Presidentin Xi herën e fundit që fola me të”, shtoi ai.

Ndërsa Washington-i zyrtar e njoftoi bojkotin e tij diplomatik më 6 dhjetor.

Sekretarja e shtypit për Shtëpinë e Bardhë, Jen Psaki, tha se vendimi ishte marrë për “gjenocidin e vazhdueshëm të PRC-ve dhe krimet kundër njerëzimit në Xinjiang”.

Dy ditë pas njoftimit të Washington-it, Otava zyrtare ndoqi shembullin e kryeministrit kanadez Justin Trudeau.

“Kanadaja mbetet thellësisht e shqetësuar nga raportet për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kinë”.

Azia

Autoritetet japoneze njoftuan më 24 dhjetor se nuk do të dërgojnë një delegacion ministrash.

Sipas tyre, ky vendim nuk është rrjedhimisht një bojkot diplomatik.

Kryesekretari i kabinetit Hirokazu Matsuno deklaroi para gazetarëve se “ne nuk përdorim një term të veçantë për të përshkruar pjesëmarrjen”.

Kryeministri japonez Fumio Kishida i konsideron të drejtat e njeriut si pjesë kyçe të diplomacisë së tij.

“Japonia beson se është e rëndësishme që Kina të garantojë vlerat universale të lirisë, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe sundimin e ligjit, të cilat janë vlera universale në komunitetin ndërkombëtar”, shtoi Matsuno.

Oqeania

Si Australia ashtu edhe Zelanda e Re i janë bashkuar lëvizjes. Canberra zyrtare është shprehur se kjo ishte “gjëja e duhur për t’u bërë” dhe në “interesin kombëtar të Australisë”.

Autoritetet neozelandeze kanë theksuar megjithatë se sa i takon bojkotit “kishte një sërë faktorësh, që kryesisht kishin të bënin me COVID”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore