Shqipëria

Shqipëria mikpret botën – Çelen javët e kulturës ndërkombëtare


Një seri javësh kulturore ndërkombëtare do të marrë jetë në Shqipëri, me synim shpalosjen e kulturave të ndryshme ndërkombëtare për shqiptarët dhe kthimin e kësaj nisme në një traditë të përvitshme.

Prezantimi i nismës u bë nga vetë kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Aktivitete të larmishme do të jenë pjesë e jetës dinamike kryeqytetase dhe më gjerë.

Sipas fjalës së kreut të Qeverisë, qëllimi kryesor është ai i kthimit të çdo jave në një javë ekskluzive për promovimin e kulturave të çdo vendi të huaj që dëshiron të marrë pjesë në aktivitetet e ndryshme të organizuara.

Rrugë të tëra mund të kthehen në epiqendra të javëve të kulturës, nën moton “Shqipëria mikpret botën”.

Angazhimi, sipas Ramës, do të përfshijë të gjithë grupmoshat.

Ndërsa, ministrja Margariti siguroi se aktivitetet në sheshe dhe vende të hapura do të jenë masive, duke përfshirë edhe shkolla profesionale apo kurse kulinarie nga vende të ndryshme.

Pjesëmarrëse fillimisht do të jenë 17 shtete, por javët do të jenë më të shumta.

Bashkimi Evropian, po ashtu, do të zërë një zë të veçantë në program.

Shtete të tjera pjesëmarrëse do të jenë edhe superfuqi ndërkontinentale, si SHBA-të, Japonia, Kina, Izraeli apo edhe vendet e njohura evropiane, si Franca, Gjermania dhe Italia.

Modeli do të jetë i ngjashëm me organizime të tjera të njohura në Shqipëri. Një ndër më të suksesshmet është edhe “Tetori gjerman”, muaj i cili sjell larmi aktivitetesh në Shqipëri, me shpalosjen e kulturës gjermane nëpërmjet koncerteve, filmave apo ekspozitave të ndryshme.

Nga ana tjetër, kryeministri garantoi se do të ketë edhe bashkëpunime me pushtetin vendor, për të mundësuar organizime jo vetëm në kryeqytet.

Franca do të nisë e para, me javën nga 25 prilli deri më 30 prill.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore