Shqipëria

Shqipëria merr presidencën e Komunitetit të Energjisë


Zëvendës kryeministrja e Shqipërisë dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Baluku, mori pjesë në takimin e 20-të të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, i cili u mbajt në Vjenë në Austri dhe në përfundim të takimit mori presidencën e komunitetit.

Sipas Ballukut në këtë takim ministror janë marrë disa vendime të rëndësishme për tregun rajonal të energjisë, efiçencën e energjisë dhe objektivat e energjisë së rinovueshme.

Në mbledhje Këshilli i Ministrave të Komunitetit të Energjisë miratoi objektivat deri në vitin 2030 për të reduktuar konsumin e energjisë primare dhe përfundimtare për të përshpejtuar shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme dhe për të reduktuar emetimet e gazeve serrë me qëllim arritjen e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050.

Ministrat diskutuan gjithashtu masat e koordinimit për të siguruar furnizimet me energji dhe për të përballuar ndikimin e rritjes së çmimeve.

Komisioneri i BE-së Kadri Simson vuri në dukje përparimin e madh në programin e dekarbonizimit.

Në fund të takimit, Ukraina i dorëzoi zyrtarisht Shqipërisë kryesinë e Komunitetit të Energjisë, e përfaqësuar nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Baluku.

Kujtojmë që, Qeveria shqiptare ka zgjatur deri më 30 qershor të vitit 2023 gjendjen e emergjencës për energjinë elektrike.

Fillimisht, gjatë muajit prill gjendja e emergjencës elektrike do të shtyhej deri në fund të vitit 2022.

Nga Samiti i Pragës, kryeministri shqiptar Edi Rama theksonte se jemi në një “epokë të re rreziku”, ku janë mbledhur të gjithë dhe po bashkohen të gjithë për shkak të inflacionit të luftës.

“Nuk ndahen dot në pjesë kriza e klimës, kriza energjetike, demokratike. Jemi në një epokë të re rreziku, kemi dalë nga epoka e sigurt. Kjo epokë e rrezikut i ka mbledhur të gjithë dhe i ka nxitur të afrohen sa më shumë për shkak të inflacionit të luftës”, vërejti Rama.

Kjo e fundit, shtoi kryeministri, nuk është shkaktuar nga “ne” por na prek të gjithëve përmes rritjes së çmimeve të energjisë.

“Ne në Shqipëri do vazhdojmë të insistojmë që të mos rritet çmimi i energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël”, garantoi kryeministri.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi më herët se mund të ketë një rishikim të fashës prej 800 kWh-ësh për konsum familjar pas 31 dhjetorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore