Shqipëria

Shqipëria i bashkohet masave të radhës së BE-së ndaj Iranit, në njëvjetorin e vdekjes së Mahsa Amini-t


Këshilli i Bashkimit Evropian ka bërë me dije të enjten e 28 shtatorit se autoritetet shqiptare i janë bashkëngjitur sanksioneve të Unionit ndaj katër individëve dhe gjashtë subjekteve përgjegjëse për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në Iran.

Paketa e 15 shtatorit vinte pas deklaratës së Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell në emër të Bashkimit Evropian për të shënuar përvjetorin e vrasjes së Mahsa Amini-t më 16 shtator 2022, ndërsa ishte në paraburgim të policisë morale iraniane.

Listimet përfshinin zëvendës komandantin e përgjithshëm të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Shtabin Qendror të Sigurisë Imam Ali dhe komandantët e policisë së provincave Mazandaran dhe Fars.

Këshilli vendosi gjithashtu të listojë burgun Kachui dhe drejtorin e tij, burgjet e Sanandajt, Zahedanit dhe Isfahanit, si dhe agjencinë e lajmeve Tasnim së bashku me Këshillin e Lartë të Hapësirës Kibernetike.

“Vendet kandidate Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina, Republika e Moldavisë dhe Bosnje-Hercegovina, si dhe vendet e EFTA-s, Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia, anëtare të Zonës Ekonomike Evropiane, radhiten me këtë Vendim të Këshillit”, pohojnë autoritetet evropiane.

Sipas Këshillit të BE-së, këto shtete do të sigurojnë që politikat e tyre kombëtare të jenë në përputhje me këtë vendim zbatues të Këshillit.

Bashkimi Evropian e merr parasysh këtë angazhim dhe e mirëpret atë, përmbyllet reagimi zyrtar i Brukselit.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Kanadaja vendosën gjithashtu më shumë sanksione ndaj Iran-it përpara njëvjetorit të vdekjes së Mahsa Amini-t.

Amini, 22 vjeç, vdiq më 16 shtator të vitit të kaluar pasi u arrestua për dyshime se kishte shkelur kodin e detyrueshëm të veshjes së Republikës Islamike.

Vdekja e saj shkaktoi muaj protestash antiqeveritare që shënuan shfaqjen më të madhe të kundërshtimit ndaj autoriteteve iraniane në vite.

SHBA-të, Britania dhe Kanadaja, së bashku me Bashkimin Evropian, kanë njoftuar raunde të shumta sanksionesh kundër Iranit, duke përmendur shtypjen e përhapur dhe shpesh të dhunshme të protestave pas vdekjes së Amini.

Iran: Një vit pas vdekjes së Mahsa Amini-t

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore