Shqipëria

Shqipëria është një vend ‘i sigurt’, sipas deputetëve britanikë


Shqipëria është një vend “i sigurt” dhe njerëzit që ikin prej andej për të kërkuar strehim në Mbretërinë e Bashkuar nuk duhet të marrin në mënyrë rutinore azil, sipas një raporti të publikuar të hënën nga një grup deputetësh ndërpartiak.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta britanike “The Guardian” dhe multimedialit “BBC”.

Raporti nga komiteti i përzgjedhur i punëve të brendshme gjeti pak prova që tregojnë se një numër i konsiderueshëm i shtetasve shqiptarë janë në rrezik në vendin e tyre.

Ndër të tjera, dokumenti vërejti se disa shqiptarë që bëjnë kërkesa për azil, kryesisht gra, janë trafikuar.

Ai rekomandon që ky grup të kthehet në Shqipëri vetëm nëse ekzistojnë masat e duhura mbrojtëse.

Komiteti vendosi të shqyrtojë ardhjet shqiptare në MB për shkak të rritjes së madhe të shifrave vitin e kaluar.

Në vitin 2022, më shumë se një e katërta e 45 mijë e 755 njerëzve që kaluan Kanalin me varka të vogla erdhën nga Shqipëria dhe shumica kërkuan azil.

Në harkun kohor të një viti numri i shqiptarëve që mbërrinin në Britaninë e Madhe me këtë rrugë ishte rritur nga 800 në 12 mijë e 301.

Arsyet për rritjen e pjerrët janë të paqarta dhe numrat kanë rënë përsëri ndjeshëm në muajt e fundit.

Kritikët e mbërritjeve me varka të vogla këmbëngulin se Shqipëria është një vend i sigurt.

Komiteti ra dakord dhe raporti i tyre thekson se vendi nuk është në luftë dhe është një kandidat për t’u anëtarësuar në BE.

Nuk ka asnjë bazë të qartë që Mbretëria e Bashkuar të pranojë në mënyrë rutinore mijëra kërkesa për azil nga qytetarët shqiptarë, thuhet në raport.

Deri në qershor 2022, më shumë se gjysma e kërkesave për azil nga Shqipëria u pranuan fillimisht.

Nëntë vende, përfshirë Gjermaninë, nuk pranuan asnjë kërkesë për azil nga Shqipëria.

Raporti i kërkon Ministrisë së Brendshme të shpjegojë pse normat e granteve të azilit, veçanërisht për gratë, kanë qenë kaq të larta.

Britania miratoi gjysmat e kërkesave për azil nga emigrantët shqiptarë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore