Lajme

Shqipëria është e shqetësuar për mungesën e horizontit politik mes Izraelit dhe Palestinës


Mungesa e një horizonti të qartë politik mes Izraelit dhe Palestinës mund të ketë impakt tejet negativ në sigurinë e mirëqenien e të dyjave, ndaj përpjekja për ulje të përshkallëzimit të situatës, është e lartë.

Ky është qëndrimi zyrtar që Shqipëria ka mbajtur në Këshillin e Sigurimit, përmes fjalës së Ambasadorit të përhershëm në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, i cili ravijëzoi se zgjidhja me dy shtete dhe Jerusalemin si kryeqytet i ndarë, është e vetmja që aleatët mbështesin.

“Sulmet terroriste në Izrael na kanë lënë të tmerruar, pasi siguria e të dy palëve po cenohet dita-ditës”, sqaroi Hoxha në ligjërimin e tij, duke shtuar se glorifikimi i këtyre akteve, duhet të marrë fund menjëherë.

“De-eskalimi”, është e vetmja fjalë kyçe, e cila mund ta zgjidhë tensionin aktual.

Teksa, të dy palët, duhet të mundohen më shumë për ta arritur këtë gjë.

Për Shqipërinë, në fjalët e diplomatit, ka rëndësi të veçantë edhe respektimi i objekteve të kultit, të cilët kanë parë sulme të ndërmarra edhe përgjatë kremtimeve të shenjta dhe janë festuar nga pala palestineze sulmet e përgjakshme mbi popullin izraelit.

Ky debat vjen pas lajmërimeve se në Këshillin e Sigurimit, mbi këtë çështje, do të sillej edhe një rezolutë e mbështetur nga palestinezët, e cila nga SHBA-të tre ditë më parë, u etiketua si “e padobishme”.

Në të tilla kushte, më 20 shkurt, një e tillë nuk është kaluar për votim në organin e lartë të OKB-së, por një Deklaratë Presidenciale është dakordësuar mes vendeve.

Kësisoj, një veto e mundshme që Washingtoni do të vendoste kundër rezolutës potenciale, është shmangur. Por sërish, tonet amerikane janë ashpërsuar karshi Izraelit dhe vendimeve të papranuara dhe painkurajuara ndërkombëtarisht, të cilat po i ndërmerr.

Të tillë e ka paraqitur situatën edhe ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, e cila ka ravijëzuar se SHBA-të janë shumë të shqetësuara për atë çfarë po ndodh me vendbanimet izraelite në “West Bank”.

Mbi të gjitha, për pasojat që e gjithë kjo ka sjellë, duke degjeneruar situatën në akte brutale dhune, përfshi edhe ndaj institucioneve fetare, prej palës palestineze.

Për këtë arsye, është kërkuar sërish një reflektim mbi gjithë çfarë po ndodh atje.

Deklarata Presidenciale shpëton SHBA-të nga vetoja në Këshillin e Sigurimit, por tonet ndaj Izraelit i ashpërson Washingtoni

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore