Shqipëria

Shqipëria e interesuar ta shtyjë përpara agjendën e Kosovës në OKB


Ilustrim

Pas përfundimit të takimit në mes të komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe delegacionit nga Ministria për Evropë dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, në një konferencë për media, Haki Abazi, në cilësinë e kryetarit të komisionit ka potencuar se me delegacionin nga Shqipëria kanë biseduar për mundësinë dhe potencialin e bashkëveprimit dhe bashkërendimit të punëve të të dy komisioneve në fushën e politikës së jashtme.

“Është një listë e gjatë e veprimeve që janë duke ndodhur, por është një moment intensifikimi sidomos në drejtim të institucioneve ndërkombëtare dhe Kombeve të Bashkuara, nuk jemi këtu për të rritur shpresat në kuptimin e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara, është një proces i gjatë dhe i vështirë, por rrethanat në të cilat jemi mundësojnë një bashkëveprim më të madh të dyja shteteve në këtë drejtim”, ka thënë Abazi.

Në anën tjetër, përfaqësuesi nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gazmend Turdiu, ka njoftuar se Shqipëria është e interesuar të ndihmojë Kosovën në konsolidimin e pavarësisë së saj në arenën ndërkombëtare.

“Ne shkëmbyen me shumë kënaqësi në mënyrë të hapur mendimet tona dhe biseduam si mund të bashkërendojmë për të shtyrë përpara agjendat e përbashkëta të të dy vendeve në organizata ndërkombëtare, përfshirë në Këshillin e Sigurimit”, ka thënë Turdiu.

Takimi i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës me delegacionin nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë

Ndryshe një javë më parë Komisioni për Punë të Jashtme të Kosovës ishte nikoqirë i Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas Abazit të dy komisionet në këtë takim ishin zotuar që Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë të kujdesshëm e të mbrohen së bashku ndaj rreziqeve të mundshme pas agresionit rus në Ukrainë.

Në anën tjetër, Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, Mimi Kodheli, kishte folur rreth angazhimit të Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike.

“Besoj në atë se Shqipëria që bënë për Kosovën për anëtarësimin në NATO nuk e bënë askush”, kishte thënë shkurt ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore