Euro 2024

Shqipëria dhe Kroacia pritet të kenë ndryshime në formacionet fillestare


Pasi të dyja pësuan disfata në debutimin e tyre në Grupin B, Kroacia dhe Shqipëria do të shpresojnë për një përgjigje pozitive kur të takohen në Hamburg për ndeshjen e së mërkurës në Euro 2024 (ora 15:00).

Skuadra e Zlatko Dalic u mund 3-0 nga Spanja përpara se Shqipëria të humbiste 2-1 kundër Italisë më vonë të shtunën, pavarësisht se goli hapës i Nedim Bajramit pas 23 sekondash theu rekordin për golin më të shpejtë në historinë e Kampionatit Evropian.

Pritet të ketë vetëm një ndryshim në formacionin e Shqipërisë ndaj Kroacisë me Arbër Hoxhën që do i marrë vendin Taulant Seferit.

Hoxha luan për Dinamo Zagrebin në Kroaci dhe e njeh filozofinë e futbollit kroat, por mbi të gjitha ai tregoi një potencial të madh në ato minuta që luajti ndaj Italisë.

Kroacia mund të ketë disa ndryshime rrënjësore ndaj Shqipërisë. Humbja, por më shumë performanca e dobët ndaj Spanjës, ka bërë që Dalic të mendojë ndryshimin nga 4-3-3 në 4-2-3-1 dhe dy lojtarë do të zëvendësohen.

Marcelo Brozovic dhe Marin Pongracic pritet të largohen nga formacioni titullar i Kroacisë dhe do të zëvendësohen me Mario Pasalic, i pari, dhe një mes Borna Sosa ose Josip Juranovic për të dytin.

Formacionet e mundshme

Shqipëria: Strakosha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Ramadani, Asllani; Asani, Bajrami, Hoxha; Broja.

Kroacia: Livakovic; Stanisic, Sutalo, Gvardiol, Sosa; Modric, Pasalic, Kovacic; Majer, Budimir, Kramaric.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore