Shqipëria

Shqipëria dhe Kosova tërheqin anëtarësimin nga Organizata e Zyrtarëve Zgjedhorë të Evropës


Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ka njoftuar se KQZ-ja ka tërhequr anëtarësimin e saj nga Organizata e Zyrtarëve Zgjedhorë të Evropës (ACEEEO).

Gjithashtu ai njoftoi se të njëjtën gjë do ta bëjë edhe KQZ-ja e Kosovës.

Kjo lëvizje, shpjegon Celibashi, vjen pasi Organizata nuk ka përjashtuar Rusinë dhe Bjellorusinë nga rrethi i saj.

Më anë të një serie statusesh në median sociale Twitter, Celibashi bën me dije se Shqipëria ka qenë pjesë e kësaj organizate që në fillimet e saj dhe se ka mbajtur edhe presidencën.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën pjesë që prej themelimit në ACEEEO – Organizata e Zyrtarëve Zgjedhorë të Evropës, e cila përbëhet nga KQZ-të e 25 vendeve evropiane, si dhe një sërë trupash të tjera që administrojnë zgjedhjet në vendet përkatëse”.

“KQZ e Shqipërisë duke qenë se ka mbajtur dy herë presidencën e përvitshme të ACEEEO-s gëzon statusin e anëtarit të përhershëm të Asamblesë së Përgjithshme, organit qeverisës të krejt organizatës”.

Celibashi sqaron se, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të ACEEEO-së, ku u diskutua për përjashtimin e KQZ-ve të Rusisë dhe Bjellorusisë, Shqipëria votoi pro.

Por, vijon më tej Celibashi, “për mungesë kuorumi, përjashtimi nuk u mundësua”.

“Në emër të KQZ-së së Shqipërisë në datën 09 Mars 2022, njoftova me shkrim ndërprerjen e menjëhershme të anëtarësimit të Shqipërisë në ACEEEO pasi vlerësoj se KQZ e Shqipërisë nuk ka asnjë arsye të vazhdojë të jetë anëtare e kësaj organizate”, shkruan ai.

Kjo, sepse sipas Celibashit, sistemet politike dhe shoqërore të Rusisë dhe Bjellorusisë nuk mund të kenë institucione të administrimit zgjedhor të paanshëm, të pavarur dhe të lirë”.

Kreu i KQZ-së i Shqipërisë njoftoi gjithashtu largimin e KQZ të Kosovës nga organizata.

“Ndërkohë KQZ-së së Ukrainës i shpreh të gjithë solidaritetin dhe mbështetjen time, të institucionit që përfaqësoj dhe të çdo shqiptari, në këto ditë tejet të vështira për vendin e tyre”, përfundon shkrimin Celibashi.

Vendet e tjera që kanë tërhequr anëtarësimin, për të njëjtën arsye janë KQZ e Sllovenisë, Kroacisë, Polonisë dhe të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore