Shqipëria

Shqipëria dhe Arabia Saudite rrisin bashkëpunimin dypalësh


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Princin Faisal bin Farhan Al-Saud.

Rama në fjalën e tij, ka shprehur mirënjohjen për përkushtimin e ministrit në vendosjen e marrëdhënieve midis dy vendeve. Duke mbajtur kështu gjallë bashkëpunimin dhe komunikimin.

Sipas tij, pandemia ishte shkaku që u paralizuan shumë shkëmbime, por kjo vizitë është shenjë se “dëshira e miqve sauditë për të thelluar bashkëpunimin me Shqipërinë është e madhe”.

“Do të mbahet mbledhja e Komitetit të Përbashkët, për të adresuar prioritetet në funksion të bashkëpunimit ekonomik, pasi ishte pezulluar nga pandemia”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se, numri i turistëve sauditë në Shqipëri ka pësuar një rritje të ndjeshme falë vendosjes së linjave direkte mes vendeve dhe nxitjes që vetë qeveria saudite i ka bërë kësaj marrëdhënie.

Rama e ka cilësuar vizitën si “hapjen e një kapitulli vizitash dhe takimesh bilaterale”.

Konferenca mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrit saudit, Faisal bin Farhan Al-Saud

Në konferencë nuk ka munguar as ftesa për princin e kurorës.

Rama ka rikujtuar faktin se Arabia Saudite e ka njohur Kosovën dhe ka qenë një mbështetje e “zë me shumë peshë”.

“Dua ta ritheksoj që Arabia Saudite e ka njohur Republikën e Kosovës dhe ka qenë një nga mbështetëset e kandidaturave të Kosovës në institucionet ndërkombëtare, zëri i tyre është me shumë peshë”, tha numri një i qeverisë.

Nga ana tjetër, ministri saudit u tregua besimplotë se Shqipëria dhe Arabia Saudite do të bashkëpunojnë në shumë fusha.

“Ka shumë gjëra që mund të bëjë Arabia Saudite në Shqipëri, dhe do të shikojmë sesi do t’i eksplorojmë këto mundësi në të ardhmen”, tha ministri gjatë konferencës.

Ai shprehu mbështetjen për anëtarësinë e Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Princi Faisal bin Farhan Al-Saud

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore