Shqipëria

“Shqipëria, shqiptarët dhe demokratët nuk mund të presin deri në 2025-n”


Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha në fjalën e tij të mbajtur para anëtarëve të Kryesisë, ka theksuar se “Shqipëria, shqiptarët dhe demokratët nuk mund të presin deri në 2025” – referuar vitit kur mbaron mandati i Partisë Socialiste, që doli fitimtare nga zgjedhjet e 25 prillit.

“Zgjedhjet”, sipas tij, “treguan se demokratët janë të vendosur që ta vazhdojnë betejën për demokraci dhe për të sjellë ndryshimin në Shqipëri”.

Ai ka shprehur para anëtarëve se të gjithë “ne – drejtuar Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar – të lexojmë qartë atë që ishte vullneti i demokratëve”.

Sipas Bashës, “ata e dinë më mirë se çfarë ka ndodhur më 25 prill. Ata e dinë më mirë se ne sesa e vështirë është përballja me regjimin, ndaj çdo hap që do të bëjmë deri në përfundimin e analizës dhe mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, duhet të kemi parasysh që demokratët na kërkuan vazhdimin e betejës”.

Për Bashën, që të arrihet kjo, detyra e anëtarëve të kryesisë është që “të përgatiten me të gjitha format dhe mjetet për këtë përballje”.

“Një përballje që kërkon që Partia Demokratike të jetë e gatshme për ta kryer detyrën e saj ndaj regjimit një orë e më parë”, nënvizoi Basha.

Reformimi

Për muajt që do të pasojnë, Basha është shprehur se do të jenë të vrullshëm, njësoj si beteja që i pret.

“Ne jemi të vetëdijshëm që ato që janë në dorën tonë për t’u përmirësuar duhen të përmirësohen një orë e më parë, sepse çdo ditë e humbur, çdo ditë që nuk përdoret për përsosjen e PD-së, është një ditë pushteti që i dhurojmë armikut të demokracisë”, ka theksuar kryedemokrati.

Ai është shprehur se shqiptarët na dhanë një fuqi edhe më të madhe më 25 prill, ku demokratët mbështetën vizionin që parashtroi gjatë kësaj gare, ndaj detyra jonë – drejtuar anëtarëve – është t’i përgjigjemi kësaj mbështetje të shqiptarëve dhe demokratëve.

“Kjo, duke treguar që jemi dhe do të mbetemi një parti e shoqërisë, një parti e hapur”, deklaroi Basha.

Ai është zotuar se detyra e tij është që, në përgjigje të kësaj mbështetjeje shoqërore që mori, pa asnjë pushtet, të jemi edhe më të hapur edhe më pranë shoqërisë.

Ndryshe nga kryeministri Rama, që ka “shtrirë dorën e bashkëpunimit për opozitën”, Basha fton anëtarësinë që t’i shtrijnë dorën e bashkëpunimit shoqërisë.

“Kjo është detyra jonë. Përballë kemi një kundërshtar që e ka përcaktuar qartë aleancën e tij, atë me krimin dhe oligarikinë, ne kemi një mision më të madh, të marrim me vete shumicën dërrmuese të shqiptarëve që duan ndryshimin, duan demokracinë dhe shohin te ne shpresën e vetme për realizimin e tyre”, tha ndër të tjera Basha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore