Lajme

Shpërthen sërish një shok bombë në Veri – s’ka të lënduar


Kroi i Vitakut” në Mitrovicë të Veriut.

Një tjetër shpërthim i fuqishëm është dëgjuar të martën e 20 dhjetorit në lagjen “Kroi i Vitakut” në Mitrovicë të Veriut.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës në Veri, Besim Hoti.

“Është dëgjuar rreth orës 12:20. Por me gjasë këto mjete piroteknike të zëshme”, ka thënë Hoti për Albanian Post.

Ai tutje ka sqaruar se nga ky rast nuk ka të lënduar.

“Nuk ka ankues nuk ka dëme, nuk ka të lënduar”.

Situata në Veri

Janë bërë 11 ditë që kur grupe serbësh në Veri të Kosovës kanë bllokuar rrugët, në shenjë kundërshtimi ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiç.

Në barrikada e kanë për obligim të qëndrojnë edhe punonjësit e institucioneve publike, që funksionojnë nën sistemin e Serbisë.

Pas ndërprerjes së mësimit prej një javë, nxënësit e shkollave fillore, nga e hëna janë në klasa, por me orë të shkurtuara.

Kurse, nxënësit e shkollave të mesme do t’i ndjekin mësimet online.

Ndërsa, në Veri është raportuar për situatë të qetë teksa vërehen patrullime të pjesëtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, dhe të misionit evropian, EULEX.

Policia ne Veri.

Por, protesta e disa qindra serbëve në anën serbe të pikës kufitare në Jarinjë është elementi i fundit destruktiv i situatës në Veri të Kosovës.

Mesazhi i KFOR-it megjithatë ishte i qartë.

Përmes një njoftimi për media te dielën thanë se kanë kapacitet dhe nuk do të lejojnë që situata të përkeqësohet më tej.

Të dielën kanë qarkulluar informacione se serbët po planifikojnë djegien e kabinave të pikave të kontrollit, siç kishte ndodhur në vitin 2011, prandaj, KFOR-i amerikan është mobilizuar dhe ka vënë edhe tela me gjemba në një pjesë, tela që nuk ishin vënë tash e sa vjet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati deklaruar se heqjen e barrikadave ia kanë lënë KFOR-it, por siç është kuptuar KFOR-i nuk do të ndërhyjë, sepse po pritet një  zgjidhje politike e situatës.

Nga Bashkimi Evropian është thënë se po përgatitet një takim i mundshëm mes Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it në Bruksel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore