Lajme

Shpejtësia e autobusit – “shkaktar i mundshëm” për aksidentin në Bullgari


Autobusi i aksidentuar në Bullgari më 23 nëntor

Shpejtësia e autobusit maqedonas i cili ishte përfshirë nga flakët në orët e para të 23 nëntorit të këtij viti, konsiderohet të jetë shkaktar i mundshëm i aksidentit në Bullgari, ku 46 persona humbën jetën.

Drejtori i Shërbimit Kombëtar Hetimor dhe Zëvendës Kryeprokurori i Bullgarisë, Borislav Safarov, ka deklaruar se shoferi i autobusit po udhëtonte me shpejtësi të papërshtatshme, gjë që mund të ishte edhe shkak për aksidentin tragjik.

“Shpejtësia ishte mjaft e papërshtatshme. Autobusi lëvizte me shpejtësi mbi 90 kilometra në orë. Kërkesat për një shofer profesionist të autobusit janë më të larta se për çdo shofer tjetër. Prandaj është dashur që shpejtësia të jetë e përshtatshme me kushtet, pavarësisht sinjalistikës rrugore”, ka deklaruar Sarafov për televizionin kombëtar bullgar, BNT-së, shkruan REL.

Autobusi i aksidentuar në Bullgari më 23 nëntor ku humbën jetën 46 persona

Po ashtu, Sarafov është shprehur se pret që ekspertizat për aksidentin të jenë gati deri më 25 dhjetor dhe më pas do të dilet me raportin për shkaqet e aksidentit.

Autoritetet bullgare presin që ekspertiza të përcaktojë se si u dogj autobusi brenda pak minutash.

Zëvendës Kryeprokurori i Bullgarisë, Borislav Safarov

Ndërkohë, hetime lidhur me aksidentin janë duke u zhvilluar edhe nga autoritetet maqedonase, por hetimet lidhen kryesisht me transportin dhe punën e pikave kufitare, nëpër të cilat ka kaluar autobusi, që nuk posedonte leje për transport të udhëtarëve.

Dyzetepesë pasagjerët që vdiqën në aksident ishin turistë nga Maqedonia e Veriut, të cilët po ktheheshin nga një udhëtim në Stamboll të Turqisë. Në mesin e viktimave ishin 12 fëmijë.

Shtatë pasagjerë kishin pësuar lëndime trupore, por pas trajtimit mjekësor në Sofje, ata janë kthyer në Maqedoninë e Veriut.

Aksidenti ndodhi në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes rreth orës 2 të mëngjesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore