Lajme

Shpallet aktgjykim lirues ndaj shtatë të akuzuarve për rastin “Infrakos”


Gjykata Themelore në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj shtatë të akuzuarve të cilët ishin të ngarkuar me veprën penale, “Keqpërdorim i pozitën apo autoritetit zyrtarë”, në rastin “Infrakos”.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media, ku thuhet se ndaj të akuzuarve nuk është aprovuar që kanë kryer veprat penale për të cilat akuzoheshin.

“Këso dore secili veç e veç kishte për të  kryer veprën Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe 2, nën par.2.2 të Kodit Penal të Kosovës. Pasi që nuk është provuar që kanë kryer veprat penale të cilat akuzoheshin”.

“Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar. Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit ”, është thënë në njoftimin e Gjykatës në Prizren.

Në këtë akuzë për korrupsion ishin të përfshirë ish-zyrtarët e Komunës së Prizrenit, Sadik Paqarizi, Nijazi Kryeziu, Visar Islamaj, Bujar Nerjovaj, Bashkim Krasniqi dhe ish-kryeshefi ekzekutiv i Infrakos-it, Agron Thaçi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prizrenit, ish-zyrtarët komunalë Sadik Paqarizi, Njazi Kryeziu dhe Visar Islamaj në periudhën kohore 2016-2017 në Prizren, duke punuar si persona zyrtarë në cilësinë e drejtorëve të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare.

Seanca e mbajtur për rastin “Infrakos”.

Me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër në rastin konkret pronarëve të objekteve të ndërtuara, e duke i shkaktuar dëm personit tjetër në rastin konkret “Hekurudhat e Kosovës” – “InfraKos” me seli në Fushë Kosovë.

Sipas Prokurorisë, tre drejtorët kishin shkaktuar degradimin e pronës si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit si dhe kanë bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Ndërsa i akuzuari Bujar Nerjovaj, sipas Prokurorisë së Prizrenit, gjatë vitit 2013 në Prizren, duke punuar si person zyrtar në cilësinë e Drejtorit për Inspeksion në Komunën e Prizrenit, pasi që ka bërë tejkalimin e kompetencave, ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit të cilën e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Në këtë rast i ngarkuar me aktakuzë është edhe Inspektorin Komunal Bashkim Krasniqi, për periudhën kohore të vitit 2012 në Prizren.

Duke punuar si person zyrtar në cilësinë e Inspektorit të ndërtimit pranë Drejtoratit për Inspeksion të Komunës së Prizrenit,  duke bërë tejkalimin e kompetencave, me ç’rast pronën, patundshmërinë si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Ndërsa i akuzuari Agron Thaçi, gjatë vitit 2013 në Fushë Kosovë, duke qenë Kryeshef në “Infrakos”- Hekurudhat e Kosovës, dyshohet se i kishte shkaktuar dëm “Infrakos”-it pasi nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta.

Njazi Kryeziu është shpallur i pafajshëm si një ndër të akuzuarit në rastin e shumëpërfolur “Pronto”, ndërsa është i akuzuar edhe për lidhjen e kontratave pa tender, e rasti në Gjykatën e Prizrenit është në fazën fillestare.

Bujar Nerjovaj, në qershor të vitit 2019 ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Prizrenit dhe ishte dënuar me burgim me kusht, për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, por rastin e tij Gjykata e Apelit e kthyer në rigjykim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore