Kosova

Shpallen rezultatet finale të zgjedhjeve në Serbi, Kamberi ri-konfirmohet si deputet


Shaip Kamberi.

Zyrtarisht, Shaip Kamberi, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, do të jetë i vetmi shqiptar që do të ketë ulëse në Kuvendin e Serbisë.

Lajmi është bërë i ditur pas shpalljes së rezultateve zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Serbi.

Sipas KRZ-së, lista e udhëhequr nga Kamberi mori 13 mijë e 501 vota apo 0.35 për qind dhe fitoi një mandat në Kuvend.

Të premten, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka përsëritur shqetësimet e tij në raport me sundimin e ligjit në Serbi, pas kërkesës që ka bërë edhe Partia Popullore Evropiane (PPE), të premten në Parlamentin Evropian që si temë urgjente të debatohet për zgjedhjet në Serbi.

Në Serbi më 17 dhjetor 2023, u mbajtën zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore, të cilat i fitoi Partia Progresive Serbe e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

Partia e Vuçiç-it është anëtare e asociuar e PPE-së. Ky grup parlamentar ka numrin më të madh të deputetëve në PE.

Nga institucionet e tjera të BE-së vazhdojnë të përsërisin qëndrimin e mëhershëm për zgjedhjet në Serbi se “të gjitha shqetësimet për parregullsi në zgjedhje duhet të hetohen në mënyrë të duhur”, dhe se “të gjithë duhet të përmbahen nga veprimet e dhunshme ndërsa mospajtimet duhet t’i zgjidhin përmes rrugës ligjore”.

Një mision ndërkombëtar që monitoroi zgjedhjet, tha pas votimeve se SNS-ja kishte përfituar avantazh të padrejtë përmes mediave të njëanshme, përmes ndikimit të Vuçiç-it dhe po ashtu kishin vërejtur parregullsi në votime sikurse blerja e votave.

Autoritetet serbe kanë mohuar të gjitha këto akuza.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore