Lajme

Kurti, prapë, i shqetësuar për demokracinë në Serbi


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka përsëritur shqetësimet e tij në raport me sundimin e ligjit në Serbi, pas kërkesës që ka bërë edhe Partia Popullore Evropiane (PPE), të premten në Parlamentin Evropian që si temë urgjente të debatohet për zgjedhjet në Serbi.

Kurti, përmes një shkrimi në platformën ‘X’, ka ritheksuar rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“I përsëris shqetësimet e ngritura nga Presidenti i PES Stefan Löfven në lidhje me sundimin e ligjit në Serbi. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si gur themeli i stabilitetit dhe progresit, duhet të mbrohen kolektivisht”.

“Këto shtylla të demokracisë janë vendimtare për aspiratat tona të përbashkëta si socialdemokratë”, ka shkruar ai.

Në Serbi më 17 dhjetor 2023, u mbajtën zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore, të cilat i fitoi Partia Progresive Serbe e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

Partia e Vuçiç-it është anëtare e asociuar e PPE-së. Ky grup parlamentar ka numrin më të madh të deputetëve në PE.

Nga institucionet e tjera të BE-së vazhdojnë të përsërisin qëndrimin e mëhershëm për zgjedhjet në Serbi se “të gjitha shqetësimet për parregullsi në zgjedhje duhet të hetohen në mënyrë të duhur”, dhe se “të gjithë duhet të përmbahen nga veprimet e dhunshme ndërsa mospajtimet duhet t’i zgjidhin përmes rrugës ligjore”.

Një mision ndërkombëtar që monitoroi zgjedhjet, tha pas votimeve se SNS-ja kishte përfituar avantazh të padrejtë përmes mediave të njëanshme, përmes ndikimit të Vuçiç-it dhe po ashtu kishin vërejtur parregullsi në votime sikurse blerja e votave.

Autoritetet serbe kanë mohuar të gjitha këto akuza.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore