Sport

Shoferi i tramvajit e fajëson Immobile-n për aksidentin e ndodhur


Shoferi i tramvajit i përfshirë në një aksident automobilistik me sulmuesin e Lazio-s dhe Italisë, Ciro Immobile-n këtë mëngjes, këmbëngul se ai nuk kaloi në semafor të kuq duke pretenduar se Immobile “erdhi me shpejtësi të madhe”.

Lazio ka konfirmuar se Immobile ka pësuar goditje dhe një frakturë të përbërë në brinjë pas një aksidenti me makinë në qendër të qytetit të Romës të dielën në mëngjes.

Sulmuesi ishte me vajzat e tij dhe të gjitha janë shtruar në spital, ku futbollisti italian ka qëndruar nën vëzhgim.

Immobile u tha policëve që mbërritën në vendngjarje se shoferi i tramvajit kishte kaluar në semafor të kuq, kështu duke u përplasur me automjetin e tij.

Megjithatë, shoferi i cili gjithashtu u shtrua në spital së bashku me tetë pasagjerë të tjerë mohoi shkeljet e trafikut dhe tha për gazetën italiane, Repubblica: “Më kujtohet se kalova një semafor jeshil dhe pashë makinën duke ardhur me shpejtësi të madhe”.

Autoritetet vendase po hetojnë, ndërsa sulmuesi i Lazio-s do të mungojë në ndeshjen e radhës në Serie A kundër Torinos dhe ka gjasa që të përjashtohet nga ndeshja jashtë fushe me Inter-in më 30 prill.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore