Shqipëria

Shërbimet në e-Albania, Gjonaj: Mbi 112 mijë dëshmi penaliteti të lëshuara falas


Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka publikuar disa shifra në lidhje me marrjen e dokumentacioneve të ndryshme në portalin e-Albania, pa pasur nevojë për të kryer pagesë.

Sipas ministres, metodologjia e rritjes së shërbimeve elektronike po lufton korrupsionin në nivelin e ulët.

Ndër të tjera, Gjonaj ka publikuar edhe shifrat mbi përdorimin e këtyre dokumentacioneve. Vetëm gjatë 2020-ës, janë lëshuar 74 mijë e 320 dëshmi penaliteti nga portali e-Albania. Në tërësi ndërkaq, janë lëshuar mbi 112 mijë dëshmi me vulë elektronike.

Koha e marrjes së shërbimit është ulur gjithashtu në pesë ditë. Kjo metodë, ka eliminuar aplikimin fizik dhe pritjen e ardhjes së dëshmisë nëpërmjet postës.

Prej kohësh tashmë, e-Albania ofron mbulim për rreth 95% të shërbimeve administrative në Shqipëri. Arritja kryesore e këtij portali ka qenë shmangia e radhëve në shërbime apo korrupsioni aktiv dhe pasiv në nivele të ndryshme.

Një përpjekje do të ketë edhe për 5% të shërbimeve të mbetura, që të mund të realizohen online.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore