Muzikë

Shënohet 2-vjetori i vdekjes së “Bilbilit të Kosovës” – Nexhmije Pagarushës


Nexhmije Pagarusha - Artiste

Janë bërë dy vjet që kur u nda nga jeta ikona e muzikës së mirëfilltë shqiptare, e njohur me nofkën si – “Bilbili i Kosovës”, Nexhmije Pagarusha.

Pagarusha ka qenë njëra ndër artistet më të veçanta që historia e artit shqiptar ka njohur, kjo falë talentit, vokalit të saj të rrallë si dhe paraqitjeve të veçanta skenike të cilat thyen tabutë e kohës.

Ajo kishte lindur më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës, në Kosovë, teksa gjithçka rreth karrierës së saj muzikore filloi qysh në moshën 14-rë vjeçare, kur ajo nisi të angazhohej si një solo këngëtare në “Radio Prishtina”.

Ani pse e re në moshë, ngarkesa dhe kushtet jo të mira në Radio Prishtina, nuk ishin problemet e vetme të Nexhmijes.

Ndër sfidat me të cilat ajo u përball ishte edhe realiteti, ku të jesh femër dhe të këndosh konsiderohej “turp i madh”, sipas shoqërisë konservatore të asaj kohe.

Por, ishte pikërisht babai i saj, ai i cili nuk rreshti së përkrahuri vajzën e tij, duke e ndihmuar ta përballonte presionin në mjedisin konservativ të asaj kohe.

Kështu përkundër paragjykimeve të kohës, ky yll nuk u la të shuhej, përkundër ai shndriti gjatë duke e bërë një komb të tërë krenar.

Se talenti i saj ishte i rrallë, e dëshmon edhe fakti se Nexhmije Pagarusha ishte në mesin e tri aktoreve të para (Katarina Josipi, Meribane Shala) të Teatrit të ri të Prishtinës.

Drama “Zjarri dhe Ashi” e shkrimtarit rus Anton Çehov, ishte shfaqja e saj e parë teatrale.

Në moshën 18 vjeçare, shkon në Beograd ku regjistrohet në një shkollë të mesme muzikore, nga e cila largohet pas tri vjetësh.

Atje Pagarusha mori pjesë në një provë të organizuar për muzikantë të rinjë, ku edhe ju hapen dyert, dhe u bë pjesë e Shoqatës së Arteve Kulturore “Iva Lola Ribar”.

Në Beograd, Nexhmija bëri paraqitjen e saj të parë muzikore në skenë. Aty këndoi një këngë të vjetër të qytetit, “Dashnor tu bana” si dhe dy këngë popullore, “Nga rruga Krushqit” dhe “Ani mori nuse”.

Nexhmije Pagarusha.

Aso kohe Pagarusha u takua me muzikantin dhe kompozitorin – Rexho Mulliqi, i cili u bë edhe bashkëshorti i saj.

Nga martesa me të, ata kishin një djalë, Leonardin – kënga e saj “Baresha” e cila është njëra ndër më të suksesshmet në repertuarin e saj, ishte kompozuar pikërisht nga Mulliqi.

Më 1953, Nexhmije Pagarusha u kthye nga Beogradi në Prishtinë dhe mbajti koncertin e saj të parë të muzikës klasike.

“Një perfido” e Ludwing van Beethoven, “Një ditë e bukur” e “Traviata” ishin disa nga ariet e operave që ajo performoi në atë koncert.

Bashkëpunëtorët e saj në këtë koncert ishin emrat më të mirë në fushën e muzikës gjatë asaj periudhe, si; Mile Jovanoviq (bariton), Jordan Nikoliq (tenor), Qazim Dushku (bas). Në atë koncert, orkestra simfonike u drejtua nga Oliver Ristić.

Nexhmije Pagarusha.

Në vitet e 60-ta ajo realizoi një turne më Shoqatën e Arteve Kulturore “Shota”. Turneu u zhvillua në vende të ndryshme evropiane si në: Austri, Belgjikë, Bullgari, Angli, Gjermani, Holandë e Suedi. Madje, ajo mbërriti edhe në Amerikë e Lindje të Mesme. Kjo e ndihmoi të bëhej e njohur edhe jashtë kufijve të Kosovës, karshi talentit të jashtëzakonshëm.

Nexhmije Pagarusha mori pjesë, dhe gjithashtu këndoi në festivalin e famshëm “Summer Song” dhe për herë të parë regjistroi këngën e përmendur tashmë “Baresha”. Ajo mori pjesë në të gjitha garat muzikore të festivalit “Akorde Kosova”.

Në fund të viteve të 60-ta dhe fillimit të viteve të 70-ta, në Beograd për çdo vit mbahej një koncert, ku këngëtarët shoqëronin orkestrën simfonike të Radio Televizionit të Beogradit, duke kënduar këngë të përpunuara popullore. “Një lule” e Nexhmije Pagarushës, ishte kënga më e kërkuar gjatë këtyre koncerteve.

Në mars të 1973 ajo mori pjesë në konkursin “Jugovizija 1973” në Opatija të Koracisë. Kjo ishte një garë e ngjashme me “Eurovizion”. Është interesante po të shikoni listën e pjesëmarrësve, të cilët të gjithë bashkë me Nexhmijen, kënduan në sallën e hotelit të famshëm “Kvarner”.

Karrierën e saj muzikore e përfundoi pas një koncerti në Sarajevë, më 1984. Nuk ekziston një burim i sakt që tregon se sa këngë gjithsej ka kënduar Pagarusha, por që numri aludon të variojë me rreth 150 këngë të interpetura nga ajo.

Nexhmije Pagarusha.

Më 2018, Nexhmije Pagarusha u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga Donald Trump, i cili në atë periudhë ishte president i Kombeve të Bashkuara të Amerikës.

Nexhmije Pagarusha u nda nga jeta me shtatë shkurt të vitit 2020, në moshën 86 vjeçare, duke lënë pas një histori të ndritur dhe një bagazh të pasur artistik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore