Sport

Shënohen katër gola, përfundon në paqe miqësorja mes Shqipërisë dhe Kosovës U19


Kombëtarja U19 e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, sot (e hënë) zhvilluan edhe ndeshjen e dytë miqësore, e cila përfundoi me rezultat 2:2.

Pjesa e parë e kësaj ndeshje e zhvilluar në “Arena Egnatia” në Rrogozhinë, u dominua në përgjithësi nga kuqezinjtë, por të parët në epërsi kaluan Dardanët në minutën e 41-të, me golin e realizuar nga Jahmurataj.

Ndërsa në pjesën e dytë Kosova do të ishte më kërcënuese, teksa përfaqësuesja e shqiptare u tregua më e saktë përballë portës.

“Kuqezinjtë” barazuan në minutën e 51-të me Tomën që qetësoi situatën te Shqipëria, ndërsa në minutën e 59-të Daka do të kalonte për herë të parë Shqipërinë në epërsi, duke realizuar nga pika e bardhë e penalltisë.

Megjithatë ky avantazh nuk zgjati shumë, pasi vetëm katër minuta më pas Rashica do të barazonte rezultatin për Kosovën.

Kjo ishte ndeshja e dytë miqësore që luhet mes U19 të Shqipërisë dhe Kosovës, pasi janë përballur edhe më 26 mars, takim që u fitua me rezultatin 0-2 nga “dardanët”, me golat që i shënuan Maloku në minutën e 28’ dhe Toverlani në minutën e 55’.

Këto miqësore janë teste për të dyja përfaqësueset përpara ndeshjeve zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore