Lajme

Shefi i OSBE-së: Kryetarët e komunave në Veri s’kanë legjitimitet


Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, tha se nuk mund të ketë kthim në normalitet në veri të Kosovës derisa serbët të kthehen në institucione.

Ai në një intervistë për Demostat ka shtuar se kryetarët e sapozgjedhur të komunave në veri janë zgjedhur ligjërisht, por nuk kanë legjitimitet.

“Edhe pse janë zgjedhur ligjërisht, kryetarët e komunave nuk kanë legjitimitet, pasi që zgjedhjet u bojkotuan nga shumica dërmuese e votuesve serbë të Kosovës”, tha Davenport, duke shtuar se anëtarët e misionit të OSBE-së janë në kontakt të përditshëm me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe qytetarët.

Ai po ashtu theksoi se do të jetë me rëndësi mbajtja e zgjedhjeve të reja, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha komuniteteve nga veriu i Kosovës.

“Nëse të gjitha palët pajtohen, OSBE-ja mund të ofrojë mbështetje për të lehtësuar procesin e ri-integrimit të serbëve në veri të Kosovës”, theksoi ai.

I pyetur se si do të kthehen serbët në institucione, Davenport thotë se kjo çështje duhet të diskutohet në kuadër të dialogut të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian.

Davenport sqaroi se misioni i OSBE-së nuk është pjesë e procesit të hartimit të Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por se është i gatshëm të mbështesë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog me ndërmjetësimin e BE-së, nëse atyre iu kërkohet ta bëjnë këtë.

Sipas tij, OSBE-ja është duke punuar ngushtë me institucionet e Kosovës, përfshirë policinë për të siguruar që të bëhen të gjitha përpjekjet dhe të angazhohen më shumë zyrtar nga komunitetet jo-shumicë.

“Misioni e ka ndërtuar reputacionin e tij nga përvoja që ka fituar gjatë 20 viteve të fundit në këtë fushë, përveç besimit dhe bashkëpunimit me të gjitha komunitetet në Kosovë”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore