Lajme

SHBA/ Zyrtarët e administratës Biden bëjnë udhëtimin e parë në Azi


Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Antony Blinken, dhe sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ditën e sotme do të mbërrijnë në Japoni. Ky do të jetë takimi i parë, pjesë e një turneu katër-ditor në Azi, që synon të riafirmojë aleancat me partnerët e SHBA-ve.

Turi është udhëtimi i parë për administratën e Biden-it në Azi, pasi SHBA-ja po ribën një hapje drejt multilateralizmit dhe ndërtimit të marrëdhënieve me partnerët aziatikë. Larg qasjes së njëanshme të ndërmarrë nga ish-presidenti Donald Trump.

Ky i fundit shpesh ankohej për kostot e mbajtjes së trupave amerikane në Japoni dhe Korenë e Jugut, duke kërcënuar disa herë për të tërhequr forcat nëse aleatët nuk paguanin më shumë për bazat ushtarake.

Çfarë parashtrohet në itinerar?

Në Tokio, Blinken dhe Austin do të zhvillojnë të martën e 16 marsit bisedime personale dhe diplomatike me homologët e tyre japonezë, ministrin e Jashtëm Toshimitsu Motegi dhe ministrin e Mbrojtjes Nobuo Kishi, si dhe kiryeministrin Yoshihide Suga.

Takimet virtuale me drejtuesit e biznesit dhe anëtarët e shoqërisë civile janë po ashtu në rendin e ditës.

Të mërkurën, dyshja do të drejtohet në Korenë e Jugut, ku Blinken pritet të diskutojë qëndrimin politik të Biden-it ndaj Koresë së Veriut.

Si në Korenë e Jugut, edhe në Japoni, zyrtarët do të diskutojnë gjithashtu mbi nënshkrimin e marrëveshjeve të reja mbi ndarjen e kostove për vendosjen e trupave amerikane.

Pas Koresë së Jugut, shefi i Pentagonit do të drejtohet në Indi, për bisedime me homologun e tij Rajnath Singh. Pentagoni tha se Austin do të diskutojë thellimin e një partneriteti strategjik me Indinë përballë Kinës, pasi marrëdhëniet midis Delhit dhe Pekinit janë acaruar për një mosmarrëveshje kufiri.

Po në lidhje me politikën ndaj Kinës?

Kina do të jetë në rendin e ditës gjatë bisedimeve të kësaj jave. Në një editorial të përbashkët botuar të hënën në Washington Post, Blinken dhe Austin shkruajnë se “SHBA-ja po bën një përpjekje të madhe” për të ringjallur lidhjet me miqtë dhe partnerët, veçanërisht për sigurimin e një rajoni “të lirë dhe të hapur” Indo-Paqësor.

“Fuqia jonë e kombinuar na bën më të fortë në tërheqjen kundër agresionit dhe kërcënimeve të Kinës”, shkruanin ata.

“Së bashku, ne do ta mbajmë Kinën më të përgjegjshme, kur ajo abuzon me të drejtat e njeriut në Xinjiang dhe Tibet. Kur shkatërron sistematikisht autonominë në Hong Kong, apo shkel demokracinë në Taiwan, ose ka pretendime detare në Detin e Kinës Jugore, që shkel ligjin ndërkombëtar”.

“Nëse nuk veprojmë me vendosmëri dhe s’udhëheqim, Pekini do të veprojë”, shtuan ata.

Washingtoni po kërkon gjithashtu të rrisë aftësinë ushtarake amerikane. Para se të nisej për në Japoni, Blinken tha se “avantazhi konkurrues” i SHBA-së po gërryhet, ndërsa Kina modernizon ushtrinë e saj.

“Qëllimi ynë është të sigurohemi që kemi aftësi… jemi në gjendje ta parandalojmë Kinën”, tha ai.

Kina ka marrë pothuajse të gjithë Detin e Kinës Jugore, duke ndërtuar ishuj të milituar rëndë.

Në Detin e Kinës Lindore, Pekini synon ishujt e kontrolluar nga japonezët, çka rritur tensionin me Japoninë. Në kufirin Himalaje me Indinë, trupat kineze dhe indiane janë përplasur për pretendimet territoriale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore