Lajme

SHBA/ Zyrtare, Kongresi voton ngritjen e komitetit hetimor për 6 janarin


Kryekongresmenja demokrate, Nancy Pelosi

Është tashmë zyrtare. Dhoma e përfaqësuesve në SHBA ka votuar pro ngritjes së një Komiteti Hetimor të posaçëm për ngjarjet e ndodhura në Capitol Hill më 6 janar, ku të vdekur mbetën pesë persona dhe u bastis ndërtesa e djepit të demokracisë amerikane.

Votimi ka qenë thuajse i njëanshëm, me vetëm dy republikanë pro nismës. Kongresi, në numra 222 ndaj 192, nis punën për hetimin e një ndër ngjarjeve më të rënda në historinë e brendshme politike në SHBA.

Përpara votimit, Kryekongresmenja demokrate Nancy Pelosi, u shpreh e keqardhur për faktin se nuk ishte rënë dakord për një votim bipartizan.

“Nuk mund të presim”, deklaroi e vendosur Pelosi nga foltorja. “Është e vërtetë të tilla meritojnë të jenë bipartizane. Shpresojmë të paktën që në të ardhmen të kemi një bashkëpunim të tillë. Gjithsesi, tani për tani, duhet të ecim përpara kështu”.

Republikanët tentuan deri në fund të bllokonin ngritjen e këtij komisioni. Gjithsesi, pavarësisht influencës së ish-presidentit Donald Trump, kjo nuk u arrit.

Ky i fundit, është akuzuar edhe si fajtori kryesor për ngjarjen nga ana e demokratëve. Madje, nga ata është kërkuar edhe shkarkimi i Trump-it. Por, për të dytën herë brenda mandatit katër vjeçar të republikanit, iniciativa dështoi.

Dyshime tashmë janë ngritur se kush do të caktohet nga ana e republikanëve në Komitetin e ngritur. Kjo, pasi zërat pro dhe kundër Trump, janë përplasur shpesh brenda partisë. Ky Komitet mbi të gjitha, po ngrihet sërish, edhe si goditje ndaj Trump-it.

Një hetim i tillë është kërkuar që në 16 shkurt nga ana e Pelosit. Përtej kësaj, ligjërisht, ajo dhe demokratët e kanë pasur të pamundur ngritjen e tij.

Por, tashmë do të kemi hapin e parë konkret në fillimin e një procesi të ri mbi ngjarjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore