Lajme

SHBA-të do të shpërndajnë 25 milionë doza për vendet e tjera


Administrata Biden ka miratuar planin për të ndarë për herë të parë, 25 milionë doza të vaksinave anti-Covid me vendet e tjera, me ambicien për ta çuar këtë shifër në 80 milionë deri në fund të Qershorit.

Të paktën 75% e këtyre dozave, do të shpërndahen me anë të mekanizmit Covax. Pjesa e mbetur do t’i shpërndahet në mënyrë direkte vendeve në nevojë.

“Po i shpërndajmë këto doza jo për të siguruar favore nga të tjerët. Po i shpërndajmë vaksinat për të shpëtuar jetët e njerëzve dhe për t’i sjellë fundin pandemisë”, deklaroi presidenti amerikan Joe Biden.

Vendet ku do të adresohen kryesisht vaksinat, do të jenë vendet e Amerikës Qendrore dhe të Jugut. Shtete si Brazili, Argjentina, Kolumbia, Costa Rica, Peruja etj., do të jenë përftuese.

Ndër vendet e tjera, ato aziatike si India, Nepali, Bangladeshi apo Sri Lanka, janë në listën e donacioneve amerikane. Në Indi mbi të gjitha, Covid-19 – mutacioni i tij indian – ka shkaktuar një numër të lartë viktimash. Për shkak të tij, India është ngjitur ndër vendet e para për raste të Covid dhe vdekje në botë.

‘Arsenali ynë i vaksinave do të jetë që prej kësaj dite i ndarë me miqtë tanë”, vijoi Biden. Sapo të fitojmë eksperiencë në ndarjen e dozave në mënyrë korrekte, do ta shtojmë ndihmën ndaj vendeve të tjera.

SHBA-të kanë injektuar 297 milionë doza vaksinash kundër Covid-19. Janë vaksinuar tërësisht 136 milionë njerëz, ose 41.5% e popullsisë totale. Por, nëse përllogaritet për popullsinë adulte, rreth 60% e amerikanëve janë imunizuar ndaj Covid tashmë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore