Lajme

SHBA-të dënojnë “gjuhën e pamatur” të Dodikut: Retorikë që kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e rajonit


Ilustrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë dënuar retorikën ultra-nacionaliste e irredentiste të Millorad Dodikut, presidenti i Republikës Sërpska – eniteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë – i cili të shtunën ka deklaruar se në këtë shekull serbët duhet të kenë një shtet të vetëm të përbërë nga Serbia, Republika Sërpska, Kosova dhe Mali i Zi.

Ambasadori i SHBA-ve në Sarajavë, Michael Murphy, ka thënë nëpërmjet një deklarate se SHBA-të janë të palëkundura në angazhimin e tyre ndaj integritetit territorial, sovranitetit dhe karakterit multietnik të Bosnjë dhe Hercegovinës, derisa ka shtuar se Dodiku nuk ka respekt për askënd tjetër, as për boshnjakët e as për serbët, përpos vetës së tij.

“Deklaratat e fundit të pamatura të Dodikut që bëjnë thirrje për përmbysjen e kufijve kombëtarë në Ballkanin Perëndimor për të krijuar një shtet të bashkuar serb e bëjnë të qartë këtë. Ato jo vetëm që janë destabilizuese për Bosnjën dhe Hercegovinën, por gjithashtu kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit”, ka theksuar ambasadori Murphy.

“Ky përshkallëzim i fundit vjen në vazhdën e një fushate të qëndrueshme të retorikës dhe veprimeve destabilizuese që synojnë të minojnë Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe shtetin e Bosnjë dhe Hercegovinës”, ka potencuar ambasadori amerikan, derisa ka numëruar veprimet destabilizuese të udhëheqësist të serbë të Bosnjë dhe Hercegovinës.

“Dodiku po bllokon qeverinë, po kërcënon paqen dhe po kërkon të shantazhojë apo ngacmojë liderët e tjerë politikë të vendit dhe komunitetin ndërkombëtar në vend që të angazhohet në negociatat me mirëbesim dhe kompromisin e nevojshëm për të miratuar reformat e kërkuara për të sjellë qytetarët më afër Bashkimit Evropian (BE)”, ka shtuar ai.

Ambasadori Murphy ka kujtuar se në dritën e kërcënimeve secesioniste të Dodikut, i cili ka mbështetjen e heshtur të Rusisë dhe Serbisë, ai ka shkelur rendin kushtetues të Bosnje dhe Hercegovinës dhe ka minuar në mënyrë konstante Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit (1995).

Autoritetet e Republikës Sërpska refuzojnë kategorikisht autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës dhe zbatojnë një qëndrim konfrontues ndaj shteteve perëndimore, derisa Dodiku haptazi bën thirrje për pavarësi dhe flet publikisht për bashkimin e entitetit serb me Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore