Bota

SHBA/Ligjvënësit amerikanë dënojnë protestat në Washington


Pas protestateve të dhunshme në Washington, ku mbështetës të presidentit Donald Trump bastisën ndërtesën e Capitol-it, kanë ardhur reagimet e ligjvënësve amerikanë nëpërmjet mediave sociale.

Ish kandidati për president, senatori Mitt Romney, dënoi dhunën, duke akuzuar drejtpërdrejtë presidentin Trump, si fajtor kryesor për ngjarjen. “Këto janë veprimet e një burri me krenari të plagosur”, shkruan Romney. “Mbështetësit e tij do të mbahen mend si turpi i historisë amerikane”.

Ndërkohë, senatori demokrat Joe Manchin, shkruan se “këta banditë nuk do të shpëtojnë”.

Senatori Josh Hawley, falenderoi oficerët e policisë që mbrojtën Capitol-in. “Dhuna duhet të ndalojë. Kush sulmoi policinë duhet të ndiqet penalisht”, shkruan ai.

Senatori Jeff Merkley, i kushtoi rëndësi të veçantë shpëtimit të materialeve zgjedhore. Ai falenderoi stafin e Capitol-it për punën e bërë. “Nëse stafi nuk do të kishte shpëtuar materialet zgjedhore, turrma do t’i kishte djegur”.

Ndërkohë, përfaqësuesja Ilhan Omar, deklaroi se po kërkonte baza kushtetuese për shkarkimin e Trump-it. “Presidenti duhet të shkarkohet menjëherë. Nuk mund të lejojmë qëndrimin e tij në zyrë”, shkruan Omar.

Përsa i përket procesit të certifikimit, senatori republikan Rand Paul, ka thënë se “nuk mund të votojë për deformimin e rezultatit zgjedhor”. Kjo është një përgjigje ndaj kërkesës së presidentit Trump për bllokimin e certifikimit të zgjedhjeve.

Senatori Ted Cruz, ka bërë gjithashtu thirrje për “qetësimin e protestuesve”. Pavarësisht kësaj, ai ka qenë ndër të paktët senatorë republikanë, që ka votuar kundër certifikimit të zgjedhjeve në Arizona dhe Pennsylvania.

Protestat janë dënuar edhe nga presidenti i zgjedhur, Joe Biden, zëvendëspresidentja e zgjedhur, Kamala Harris, si dhe zëvendëspresidenti aktual, Mike Pence.

Ndërkohë, reagime të shumta ka pasur edhe nga ndërkombëtarët./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore