Lajme

SHBA-ja nis diskutimin për Asociacionin, Rashiç konfirmon pjesëmarrjen


Nenad Rashiç

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, ka konfirmuar se ka marrë ftesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në një diskutim, më 31 janar, për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumice Serbe në Kosovë.

“Pres të jetë një takim i mirë”, ka thënë Rashiç për Radion Evropa e Lirë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht që Kosova ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kishte thënë se nëse Qeveria e Kosovës nuk gjen mënyrë për formimin e Asociacionit, SHBA-ja do të kërkojë “partnerë alternativë”.

Ai ka thënë se këta partnerë mund të jenë nga shoqëria civile, grupet multietnike apo institutet, përkatësisht subjekte që mund të ofrojnë ide, mbi bazën e të cilave mund të krijohet Asociacioni, pa e shkelur Kushtetutën e Kosovës.

Ndërsa në një intervistë për Zërin e Amerikës më 20 janar, Escobar kishte thënë se bisedimet për krijimin e Asociacionit do të nisin deri në fund të këtij muaji, me “njerëz që kanë ide të mira”.

Rashiç, ka bërë të ditur ndër të tjera se, ai dhe të tjerë në Qeverinë e Kosovës po përpiqen që çështjen e Asociacionit ta vendosin para kryeministrit Kurti si çështje teknike dhe jo politike.

“Mendoj se kemi humbur shumë kohë duke mos bërë asgjë. Nuk i kemi bashkuar ato dy dokumente [marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015] ose, thënë më mirë, [nuk kemi paraqitur] ndonjë opsion të dytë ose të tretë përmes punës në nivel teknik”, ka thënë Rashiç për Radio Evropën e Lirë.

Sipas tij, janë dy elemente të kontestueshme në lidhje me formimin e Asociacionit – emri dhe statusi juridik.

Në pikën e dytë të Marrëveshjes së vitit 2015, sipas Rashiç, shkruan se Asociacioni do të harmonizohet me Kushtetutën e Kosovës, për këtë arsye, shton Rashiç, “nuk ka ndonjë problem juridiko-teknik rreth formimit të tij”.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës mund të hartojë një dokument, që do t’i përmbushte obligimet e marra me Marrëveshjen e Brukselit për formimin e Asociacionit dhe, në të njëjtën kohë, do të ishte në përputhje me ligjet e Kosovës.

Ministri Rashiç ka shtuar se, aktualisht, nuk ka informacione për planet e SHBA-së rreth hapave të ardhshëm për formimin e Asociacionit, por shtoi se ai gjithmonë ka qenë i hapur për bashkëpunim.

“Nëse ndodh që ka diçka që ofron mekanizma më të fortë, garanci për asociacionet, natyrisht se do ta konsiderojmë dhe do të kontribuojmë në mënyrë të përgjegjshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore