Shqipëria

SHBA-ja mirëpret fillimin e fushatës zgjedhore, thirrje për zbatimin e rregullave


Ambasada e SHBA-së ka publikuar një mesazh, ku mirëpret fillimin zyrtar të fushatës zgjedhore në Shqipëri. Thirrja kryesore e amerikanëve është sjellja në përputhje me ligjet elektorale dhe standardet ndërkombëtare.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin fillimin zyrtar të fushatës dhe do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të mbështetur zgjedhjet deri në përfundimin e tyre me sukses”, shkruhet në deklaratë.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive të përfshihen me përgjegjësi në ushtrimin e të drejtave të tyre. Nxisim partitë të paraqesin ide dhe kandidatë që pasqyrojnë respekt për votuesit. Partitë dhe kandidatët të sillen në përputhje me ligjet elektorale dhe të refuzojnë qartë dhunën, duke treguar se vërtetë janë të denjë për të udhëhequr Shqipërinë”.

Sipas deklaratës, “edhe media duhet të luajë rolin e saj me përgjegjësi dhe etikë”. Kjo, “Duke bërë pyetje të vështira në emër të publikut dhe duke kërkuar përgjigje të vërteta nga kandidatët”.

Pritshmëri ka edhe karshi shoqërisë civile, për të luajtur rolin e saj të rëndësishëm gjatë procesit.

Ky mesazh vjen pas deklaratave të shumta të ambasadores amerikane, Yuri Kim, mbi listat zgjedhore dhe përfshirjen e elementeve kriminalë në to.

Sipas Kim, “partitë janë ato që duhet të kujdesen për të mos pasur përfaqësi të tillë në lista”.

Çështja e pranimit të deputetit Tom Doshi në zgjedhje, është risjelljë në vëmendje disa herë përgjatë javës së shkuar. Për këtë fakt, dhe kundër replika nga Partia Socialiste. Sipas tyre, thirrjet e ambasadores nuk i adresohen atyre.

Nga zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, na ndajnë 30 ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore