Lajme

SHBA/ Guvernatorët republikanë qortojnë “retorikën e egër” të anëtarëve të partisë për kontrollin ndaj Trump-it


Një pjesë e guvernatorëve republikanë kanë kritikuar “retorikën e egër” të kolegëve të tyre në Kongresin e SHBA-ve.

Këta të fundit kanë akuzuar oficerët federalë të zbatimit të ligjit për një sulm të politizuar ndaj ish-presidentit Donald Trump pasi ekzekutuan një urdhër bastisje të miratuar nga gjykata në shtëpinë e tij në Florida.

Guvernatori i Maryland-it, republikani Larry Hogan, i ka përshkruar sulmet nga anëtarët e partisë si “absurde” dhe “të rrezikshme”.

Disa republikanë e kanë krahasuar pak javë më parë FBI-në me Gestapon.

Hogan i ka quajtur krahasimet e FBI-së me policinë sekrete të Gjermanisë naziste, të bëra nga senatori i Florida-s Rick Scott, si “shumë shqetësuese”.

“Është absurde dhe e rrezikshme”, veçanërisht pasi një burrë i armatosur i tërbuar nga bastisja u vra në Ohio kur u përpoq të pushtonte një zyrë të FBI-së, sipas tij.

Dhe se “ka kërcënime kudo dhe humbja e besimit tek oficerët federalë të zbatimit të ligjit dhe te sistemi i drejtësisë është një problem vërtet serioz për vendin”.

Më herët, agjentët e FBI-së ekzekutuan një urdhër kontrolli në klubin dhe rezidencën private të anëtarëve të ish-presidentit në Florida me një urdhër të pavulosur.

Më vonë u zbulua se Trump-i ishte nën hetim për shkelje të mundshme të Aktit të Spiunazhit dhe pengim të drejtësisë për keqpërdorimin e supozuar të dokumenteve të klasifikuara.

Episodi ndezi komentuesit konservatorë dhe politikanët thellësisht besnikë ndaj ish-presidentit.

Po ashtu u pasua nga sulmi në zyrën e FBI-së në Cincinnati, Ohio, që çoi në një përplasje të armatosur gjashtë-orëshe që la të vrarë të armatosurin e vetëm.

Hogan ka argumentuar se shumë nga kolegët në Washington kishin “dalë në përfundime pa asnjë informacion, gjë që ishte e gabuar”.

Gjithashtu ka shtuar se zbulimet në urdhrin e pavulosur ishin një shqetësim serioz, por që hetuesit duhet të japin detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e dokumenteve të sekuestruara.

Komentet e tij u pasuan edhe nga të tjerë.

Por ka pasur edhe republikanë të tjerë të lartë të senatit që kanë mbetur kryesisht të heshtur në vazhdën e veprimit të paprecedentë të zbatimit të ligjit.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore