Lajme

SHBA do të rihapë kufijtë me Meksikën dhe Kanadanë për udhëtarët plotësisht të vaksinuar


Prej nëntorit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar se do të rihapin kufijtë me Meksikën dhe Kanadanë për udhëtarët plotësisht të vaksinuar.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka bërë me dije përmes një deklarate se do të lejojë udhëtimin për qëllime jo thelbësore përmes kalimeve tokësore dhe trageteve.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon gjithashtu se prej janarit 2022, vendi do të kërkojë dëshmi të vaksinimit për çdo udhëtim mbi këto vendkalime, thelbësor ose jo.

Kjo vjen pasi prej marsit të vitit 2020, SHBA-të kanë kufizuar udhëtimet nga fqinjët veriorë dhe jugorë për shkak të pandemisë.

Megjithatë, administrata e presidentit Joe Biden ka zbuluar kohët e fundit se kufizimet për udhëtarët e vaksinuar plotësisht do të lehtësoheshin në nëntor.

Lidhur me rregullat aktuale, ato ndalojnë hyrjen për shumicën e qytetarëve jo-amerikanë që kanë qenë në Mbretërinë e Bashkuar, Kinë, Indi, Afrikën e Jugut, Iran, Brazil dhe një numër vendesh evropiane brenda 14 ditëve të fundit.

Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, nëpërmjet një deklarate ka njoftuar se departamenti i tij ishte “i kënaqur që po ndërmerr hapa për të rifilluar udhëtimet e rregullta në një mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme”.

Mirëpo, “BBC” tregon se ai ka hezituar të thotë se kur do të hynin në fuqi ndryshimet.

Javën e kaluar, Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë thënë se të gjithë vizitorët duhet të marrin vaksina të miratuara ose të njohura për përdorim urgjent nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) dhe Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA).

Lajmet për njoftimin e ardhshëm kanë marrë lëvdata nga ligjvënësit amerikanë me zonat zgjedhore përgjatë kufirit kanadez.

Midis tyre është dhe Chuck Schumer, udhëheqësi i shumicës së Demokratëve në Senat.

“Lavdi presidentit Biden për veprimin e duhur dhe rritjen e udhëtimit ndërkufitar midis Kanadasë dhe SHBA-ve”, ka thënë ai në një deklaratë.

“Rihapja do të jetë një lajm i mirëpritur për bizneset e panumërta, ofruesit mjekësorë, familjet dhe të dashurit që varen nga udhëtimi përtej kufirit verior”, ka shtuar senatorja e New York-ut, Kirsten Gillibrand.

Në shtator, kur qeveria amerikane vlerësoi se nuk ishte koha e duhur për të hequr kufizimet, ishte një surprizë për shumë njerëz.

Prej nisjes së pandemisë, SHBA-të kanë regjistruar më shumë se 42 milionë raste të coronavirus-it dhe mbi 670 mijë vdekje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore