Lajme

SHBA: Aktakuza të shumta ndaj kinezëve dhe rusëve për vjedhje të sekreteve industriale


Autoritetet amerikane njoftuan të martën hapjen e procedurave ligjore kundër kinezëve dhe rusëve, të akuzuar për vjedhje të sekreteve tregtare dhe shkelje të sanksioneve amerikane duke u përpjekur të eksportojnë teknologji të ndjeshme.

“Këto aktakuza demonstrojnë angazhimin e Departamentit të Drejtësisë për të parandaluar që teknologjitë e ndjeshme të bien në duart e kundërshtarëve të huaj, duke përfshirë Rusinë, Kinën dhe Iranin”, tha Matthew Olsen, shefi i drejtësisë për sigurinë kombëtare në Departamentin e Drejtësisë, duke detajuar në një deklaratë për shtyp këto pesë raste në të gjithë vendin.

Mes atyre që janë në shënjestër është kinezi Weibao Wang, një inxhinier në Apple nga viti 2016 deri në 2018, i cili dyshohet se ka vjedhur nga softueri i grupit kalifornian – specialiteti i tij – i lidhur me kërkimin dhe zhvillimin e makinave autonome, si dhe elementë të tjerë konfidenciale.

Ai u largua nga Shtetet e Bashkuara, për t’u kthyer në vendin e origjinës, pak orë pas bastisjes së shtëpisë së tij në vitin 2018. Ky 35-vjeçar po ndiqet penalisht në Kaliforni.

Xiangjiang Qiao, një kinez 39-vjeçar i njohur gjithashtu si Joe Hansen, akuzohet se ka kërkuar të furnizojë Iranin me grafit izostatik, e cila është e ndaluar nga sanksionet e SHBA-ve kundër Republikës Islamike.

Sipas autoriteteve amerikane, ky material përdoret në prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë, veçanërisht në kokat e raketave balistike ndërkontinentale.

Nikolaos Bogonikolos, një 59-vjeçar grek, po ndiqet penalisht për kontrabandë të teknologjive ushtarake dhe civile në Rusi që nga viti 2017, duke përfshirë pajisje të sofistikuara të përdorura për testimin e armëve bërthamore.

I arrestuar më 9 maj në Francë, Shtetet e Bashkuara kërkojnë ekstradimin e tij.

“Ndërsa vepronte si kontraktues i mbrojtjes për NATO-n dhe aleatët e tjerë” me kompaninë e tij Aratos Group, Nikolaos Bogonikolos “luajti një lojë të dyfishtë, duke ndihmuar përpjekjet luftarake të Rusisë dhe zhvillimin e gjeneratës së ardhshme të armatimeve”, tha Prokurori federal për Distriktin Lindor të Shtetit të New York-ut Breon Peace.

Sipas tij, Nikolaos Bogonikolos “ka komplotuar me një rrjet kompanish të orkestruara nga inteligjenca ruse për të blerë dhe kontrabanduar me mashtrim teknologjinë ushtarake dhe civile amerikane në Rusi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore