Lajme

SHBA/ 6-vjeçarja e zhdukur për dy vite, gjendet shëndoshë e mirë


Dy vjet pas zhdukjes së saj, një vajzë 6-vjeçare është gjetur e gjallë dhe me shëndet të plotë në një dhomë të improvizuar.

Ajo po qëndronte nën një shkallë, në një shtëpi, në shtetin e Nju Jorkut.

Lajmi u bë i ditur nga policia, e cila dyshonte se ajo ishte rrëmbyer nga prindërit e saj biologjikë, të cilët nuk e kishin në kujdestari.

Oficerët e gjetën vogëlushen, Paislee Shultis, në një shtëpi në qytetin e Saugerties, dy vjet pasi ajo u zhduk nga zona Spencer, 290 kilometër në perëndim, tha në një deklaratë Departamenti i Policisë Saugerties.

Në atë kohë, policia besonte se prindërit e saj biologjikë, Kimberly Cooper, 33 vjeç, dhe Kirk Shultis Jr, 32 vjeç, e kishin rrëmbyer atë. Çifti nuk kishte kujdestarinë e vajzës, tha policia.

Prindërit biologjikë të vajzës

Të hënën, policia mori një informacion për vendndodhjen e vajzës dhe, më pas, morën një urdhër kërkimi.

Ata thanë se shkuan në shtëpinë e gjyshit të vajzës ku kërkuan për rreth një orë përpara se të gjenin fëmijën e fshehur në një dhomë të improvizuar, nën një të mbyllur që të çonte në bodrum.

Pas heqjes së dërrasave të shkallëve, vajza dhe nëna e saj Kimberly u gjetën të fshehura në një dhomë të errët dhe të lagësht, tha policia.

Paislee u dërgua në rajonin e policisë, ku mjekët e ekzaminuan atë, tha policia për “Daily Freeman”, gazetën lokale të komunitetit.

Vajza ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe u la të shkonte te kujdestari i saj ligjor.

Policia arrestoi prindërit dhe gjyshin e vajzës, Kirk Shultis, 57 vjeç.

Ata përballen me akuzat për ndërhyrje në kujdestari dhe rrezikim të mirëqenies së një fëmije.

Policia tha se e intervistoi Kirk Shultis Jr disa herë, që kur vajza u zhduk. Ai pohoi se nuk kishte njohuri për vendndodhjen e saj dhe u tha oficerëve se nuk e kishte parë fëmijën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore