Lajme

Shala: Vetëm 4 takime për të shqyrtuar 44 aplikime për investime strategjike, Hajdari: Fajtor janë qeveritë paraprake


Rozeta Hajdari dhe Ferat Shala

Për kryetarin e Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, është e pakuptueshme se si për dy vite këshilli ndërministror ka mbajtur vetëm katër takime për t’i shqyrtuar 44 aplikime për investime strategjike në Kosovë, të cilët rrjedhimisht do të gjenerojnë të ardhura miliardësh ekonomisë së vendit.

Këtë shqetësim të tij Shala, e ka ngritur në mbledhjen e radhës së Komisionit për Ekonomi në të cilën po raporton, ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, e të cilën e ka pyetur se si është e mundur të ketë kaq pak takime të Këshillit ndërministror, pasi sipas tij bëhet fjalë për gati 1 miliardë euro investime në ekonominë e Kosovës.

E lidhur me këtë Hajdari ka fajësuar qeveritë e kaluara, të cilat sipas saj nuk kanë informuar drejtë investitorët lidhur me plotësimin e kushteve.

“Është pikërisht për shkak të devijimeve që kanë ndodhur nga qeveritë e kaluara në shmangien e kritereve për të fituar statusin e investitorit strategjik. Si mund ta shtyjë unë një projekt nëse nuk është në harmoni me planin hapësinorë Kosovës ose me planin zhvillimorë, si mund ta shtyjmë këto përpara nëse kriteret nuk janë plotësuar”, ka thënë Hajdari.

“Për një vit e kam trajtuar shumicën e tyre. Ju njoftojë se prej 44 kanë mbetur 10 të pa trajtuara, të gjitha janë në proces të përmbylljes, por këto marrin shumë kohë”.

Për Hajdarin, kompanitë të cilët operojnë në fushën e energjisë prinë listën e aplikuesve për statusin investitor strategjik në Kosovë.

“Nga të gjitha aplikacionet, profili i këtyre ndërmarrjeve është kështu: 23 kompani për energji, turizëm janë 11, shëndetësi është 1, transport po ashtu 1, si dhe për fusha të tjera 8”.

Shala gjithashtu ka pyetur ministren se si është mundur që ajo bisedon në një aplikacion telefon, WhatsApp me investitorët strategjikë.

Në anën tjetër, Hajdari e ka pranuar se komunikon me investitorët potencial strategjik përmes këtij aplikacioni.

“Unë nuk jam injorante, i përgjigjemi pyetjeve të investitorëve potencialë edhe në WhatsApp”, është përgjigjur Rozeta Hajdari.

Por, ajo ka shtuar se konfirmimet janë të shkruara përmes e-mailit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore