Sport

Serie A/ Juventus-i dhe Fiorentina kërkojnë rikthimin te fitorja, në fushë zbret edhe Atalanta


Katër ndeshje do të luhen këtë të martë në Serie A italiane. Në fushë do të zbresin skuadra si Juventus-i, Fiorentina, Atalanta, apo dhe Hellas Verona.

Ndeshjet luhen për javën e 15. Javë e cila do të vijojë me ndeshjet e tjera edhe në datat 1 dhe 2 dhjetor. Java e 16 do të luhet duke filluar nga data 4 dhjetor.

Ndeshja e parë e kësaj të marte në Serie A do të luhet në “Gewiss Stadium”. Atalanta vendase do të presë Venezia-n, duke filluar nga ora 18:30.

28 pikë kanë vendasit në renditje, që mbajnë edhe vendin e katërt. 15 pikë kanë miqtë, që renditen në vendin e 16.

Përballja e fundit mes dy skuadrave në Serie A, ka qenë në vitin 2002. Atalanta fitonte me rezultatin 1-0 në transfertë.

Ndeshja tjetër e orës 18:30 do të luhet në “Artemio Franchi”. Fiorentina do të presë Sampdoria-n. Pas 14 javëve të luajtura, Fiore numëron 21 pikë dhe renditet e gjashta në Serie A. Miqtë kanë 15 pikë dhe renditen të 15-ët.

Përballjen e fundit mes tyre, të luajtur në shkurt të këtij viti e fitoi Spamdoria me shifrat 2-1.

Juventus-i do të kërkojë të rikthehet te fitorja dhe përballë do të ketë Salernitana-n. Ndeshja do të luhet në “Stadio Arechi”, duke filluar nga ora 20:45.

Vendasit e Salernitana-s janë të fundit në renditje, me tetë pikë. Miqtë nga Torino kanë 21 pikë dhe renditen në vendin e shtatë.

Përballja e fundit mes dy skuadrave daton më 2 maj 1999. Salernitana fitonte me rezultatin 1-0. Asokohe, Juventus-i e mbyllte kampionatin në vendin e gjashtë, ndërsa vendasit binin nga kategoria.

Sfida tjetër e mbrëmjes në Serie A do të luhet në “Marc Antonio Bentegodi”. Hellas Verona vendase do të përballet me Cagliari-n.

Vendasit kanë 19 pikë në renditje dhe ndodhen në pozitën e 10 në tabelën e klasifikimit. Miqtë nga Sardenja renditen në vendin e parafundit me tetë pikë, po aq sa Salernitana e vendit të fundit.

Përballjen e fundit mes dy skuadrave e fitoi Hellas Verona. Më 3 prill të këtij viti, miqtë nga Verona triumfonin me rezultatin 2-0 në Sardenjë.

Serie A do të vijojë me ndeshjet e tjera:

Të mërkurën

Inter – Spezia

Bologna – Roma

Genoa – Milan

Sassuolo – Napoli

Të enjten

Torino – Empoli

Lazio – Udinese

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore