Sport

Serie A, Inter-i dhe Sassuolo e nisin me këmbën e mbarë


Kanë përfunduar dy ndeshjet e orës 18:30 në Serie A italiane. Skuadra e Inter-it ka mundur Genoa-n në “Giuseppe Mezza”, ndërsa Sassuolo ka mundur Hellas Verona-n në “Marc Antonio Bentegodi”.

Inter-i ka fituar me plot merita ndaj Genoa-s, me rezultatin 4-0.  Nga dy gola për çdo pjesë shënuan zikaltërit.

Hakan Calhanoglu dhe Edin Dzeko, dy nga afrimet e Inter-it këtë merkato arritën të shënonin dhe asistonin që në ndeshjen debutuese.

Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 6 nga Milan Skrinar. Qendërmbrojtësi shënoi me kokë pas asistit nga gjuajtja e këndit që i dha turku Calhanoglu.

Tetë minuta më vonë do të vinte edhe goli i dytë i Inter-it. Kësaj radhe do të ishte vetë Calhanoglu që do të shënonte, pas një gjuajtje nga jashtë zone.

Dy golat e tjerë që erdhën në pjesën e dytë u shënuan nga Arturo Vidal në minutën e 74 dhe Dzeko në minutën e 87. Për kilianin asistoi Nicolo Barella, ndërsa për boshnjakun ishte Vidal që asistoi.

Kështu Inter-i dhe Simone Inzaghi marrin fitoren e parë në ndeshjen hapëse të sezonit të ri 2021/22.

Në përballjen tjetër, Sassuolo ka fituar me shifrat 3-2 në fushën e Hellas Verona-s. Giacomo Raspadori shënoi golin e parë për miqtë në minutën e 32, gol që do të vuloste edhe shifrat e pjesës së parë.

Në pjesën e dytë erdhën katër gola, nga dy për secilën skuadër. Fillimisht, ishte Filip Durici që shënoi për 0-2 në minutën e 51. Mattia Zaccagni ngushtoi rezultatin pas penalltisë së shndruar në gol në minutën e 71.

Gjashtë minuta më vonë, Hamed Junior Traore shënoi për 1-3 dhe ishte përsëri Zaccagni që do të shënonte për Verona-n, tre minuta më vonë, duke e çuar takimin në 2-3 dhe duke vulosur shifrat përfundimtare të ndeshjes.

Edhe për Alessio Dionisi-n e Sassuolo-s kjo ishte ndeshja e parë zyrtare në pankinë dhe e nisi me këmbën e mbarë duke marrë tri pikët.

Eusebio di Francesco do duhet të presë së paku deri javën e ardhshme për të parë nëse do të mundet të shijojë fitoren e parë në stolin e Hellas Verona-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore