Sport

Seria A/ Napoli dhe Milan-i luajnë për kualifikimin në Ligën e Kampionëve


Seria A do të luajë ditën e diel pesë sfida të javës së 37-të. Në fushë do të zbresin ekipet që synojnë një vend për në Ligën e Kampionëve, Napoli dhe Milan-i, ekipet që rrezikojnë rënien nga kategoria dhe ato të mesit të artë të tabelës.

Sfida hapëse e ditës së diel në Serinë A është ajo midis Fiorentina-s dhe Napoli-t. Ndeshja do të luhet në “Stadio Artemio Franchi” duke filluar nga ora 12:30.

Vendasit kanë 39 pikë dhe renditen në vendin e 13, duke mos rrezikuar rënien nga kategoria. Napoli ka 73 pikë dhe me një fitore do të parakalonte Juventus-in, për një vend në Ligën e Kampionëve.

Në “Stadio Ciro Vigorito” vendasit e Benevento-s do të presin Crotone-n, e rënë nga kategoria tashmë. Benevento ka 31 pikë dhe renditet në vendin e 18, me katër pikë diferencë dhe Torino e vendit të 17.

“Dacia Arena” do të mirëpresë sfidën midis Udinese-s dhe Sampdoria-s. Të dy ekipet janë në mesin e artë të tabelës, duke mos rrezikuar rënien nga kategoria dhe gjithashtu nuk kanë shanse për kualifikim në Kupat e Europës.

“Ennio Tardini” do të presë sfidën midis Parma-s dhe Sassuolo-s. Vendasit janë të rënë nga kategoria tashmë, duke qëndruar në vendin e fundit të Serisë A me 20 pikë. Situatë ndryshe është ajo e Sassuolo-s. Miqtë qëndrojnë në vendin e tetë me 56 pikë.

Ndeshja e fundit e ditës së diel në Serinë A do të luhet në “San Siro”, ku Milan-i do të presë Cagliari-n. Kuqezinjtë renditen në vendin e tretë të Serisë A me 75 pikë dhe akoma nuk e kanë vulosur kualifikimin për në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm. Cagliari renditet në vendin e 16 me 36 pikë, duke rrezikuar rënien nga kategoria.

Ditën e shtunë u luajtën katër sfida në Serinë A: Roma – Lazio 2-0, Juventus – Inter 3-2, Genoa – Atalanta 3-4 dhe Spezia – Torino 4-1. Ndeshja e fundit e javës së 37-të do të luhet ditën e hënë midis Hellas Verona-s dhe Bologna-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore