Lajme

Serbia vazhdon ta shkel Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, Vuçiç falënderon Azerbajxhanin për votën kundër Kosovës në KiE


Sahil Babayev dhe Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të enjten gjersa ka takuar ministrin e Punës dhe Mbrojtjes Sociale të Azerbajxhanit, Sahil Babayev, ka falënderuar Bakun zyrtare për votën kundër kundrejt Kosovës në Këshillin e Evropës.

Të hënën e 24 prillit Komiteti Ministror me 33 vota pro ia përcjelli Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtarë. Nga gjithsej 46 shtete sa votuan në Komitetin Ministror kundër këtij vendimi ishin shtatë shtete përfshirë edhe Azerbajxhanin.

E një akt i tillë i Azerbajxhanit në arenën ndërkombëtare, sipas Vuçiç’it do të mbahet mend gjatë pasi është një shprehje e miqësisë së sinqertë.

“Falënderova ministrin Babajev dhe Republikën e Azerbajxhanit për përkushtimin e tyre ndaj ligjit ndërkombëtar, gjë që u tregua me votim në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Vuçiç në rrjetin e tij social në Facebook gjersa ka njoftuar për takimin që ka zhvilluar sot me ministrin e Azerbajxhanit.

Ndryshe shumë njohës të çështjeve ndërkombëtare kanë argumentuar se me votën kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe duke lobuar te shtetet tjera për të penguar votimin në Komitetin e ministrave të KiE-së, Serbia zyrtarisht të hënën e 24 prillit e ka shkelur marrëveshjen e arritur në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Në Nenin 4 të Marrëveshjes Serbia zotohet se nuk do ta pengojë Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në asnjë organizatë ndërkombëtare dhe të hënën bëri pikërisht të kundërtën.

Votat kundër të Hungarisë, Spanjës dhe Rumanisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE, sipas ish-ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinajt, kanë ardhur pikërisht pas lobimit të shtetit serb.

“Këto shtete nuk janë lëkundur fare nga qëndrimi i tyre rigid mosnjohës duke respektuar kërkesën e Serbisë për ‘integritetin dhe sovranitetin e Serbisë’”, tha Haradinaj për Albanain Post.

Por, sipas ish-kryediplomates, “kjo nuk është e tëra”, pasi Serbia jo shumë kohë para se të nënshkruhej Marrëveshja e Brukselit/Ohrit, u dërgoi letra zyrtare shteteve të BE-së për të votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE dhe asnjëherë nuk u tërhoq formalisht nga kërkesat e saj parashtruar në ato letra.

“E kam paralajmëruar që në ditën e parë kur është publikuar teksti i marrëveshjes se mungesa e një pike të veçantë që obligon Serbinë të mos lobojë kundër pavarësisë së Kosovës, do të jetë pikë e dobët në implementim për të mos thënë dështim”, shtoi ajo.

U shkel Marrëveshja e Brukselit/Ohrit – “BE duhet t’i pezullojë kapitujt me Serbinë”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore